Lidhje

Obama: SHBA do t’i përgjigjen sulmit kibernetik


Kompania Sony Pictures thotë se ende vazhdon të shpresojë që ta shfaqë në kinema filmin që ka në qendër një komplot për vrasjen e udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un. Komedia “The Interview”, “Intervista” shkaktoi një sulm masiv kibernetik ndaj kompanisë se Hollivudit, që autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se e ka ndërmarrë Koreja e Veriut. Ndërkohë Presidenti amerikan Barak Obama ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen me masa "proporcionale'' ndaj sulmit kibernetik kundër kompanisë Sony Pictures për të cilin Byroja Federale e Hetimeve, FBI ka fajësuar Korenë e Veriut.

Duke folur dje në konferencën e tij përvitshme të fundvitit për shtypin në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se Sony "bëri gabim" që anuloi hapjen e një komedie që për temë ka një komplot imagjinar për vrasjen e udhëhneqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për shkak të kërcënimeve nga hakerët për sulme të mëtejshme kibernetike.


"E kuptoj pozitën e Sony-t si kompani private, dhe shqetësimin për detyrimet e saj. Por më vjen keq që ata nuk më kontaktuan mua para vendimit të tyre. Do t’u kisha thënë atyre që të mos bëhen viktimë e formave të frikësimit nga këto lloje të sulmeve kriminale", tha presidenti Obama.

Sony këtë javë anuloi planet për fillimin e shfaqjes së filmit satirik më 25 dhjetor pasi disa rrjete të mëdha të kinemave vendosën të mos e jepnin filmin ku luajnë aktorët Seth Rogen dhe James Franco. Sony nuk ka plane për shfaqjen e filmit.

Kryetari i kompanisë Sony Pictures, Michael Lynton i tha kanalit televiziv CNN se kompania nuk gaboi që vendosi të mos e shfaqte filmin.

XS
SM
MD
LG