Lidhje

Sfidat e politikës së jashtme amerikane për 2015


The White House
The White House

Një vit i ri sjell edhe sfida të reja, por mbart edhe disa prej sfidave të mëparshme. 2014 i la Shtetet e Bashkuara me plot objektiva të papërmbushura. Në vazhdim u hedhim një vështrim përparësive të politikës së jashtme të Presidentit Obama ndërkohë që i mbeten dy vjet në detyrë:

“Pas më shumë se 13 vjetësh, misioni ynë luftarak në Afganistan do të përfundojë”.

Në dhjetor, Presidenti Obama shënoi përfundimin e luftës më të gjatë të Amerikës.

Por zyrtarë të Pentagonit thonë se ardhja e 2015 nuk nënkupton përfundimin e ndihmës amerikane.

“Nuk është se do të largohemi plotësisht më 31 dhjetor. Prania jonë do të vazhdojë”.

Mbështetje nga ajri, operacione stërvitore dhe anti-terroriste do të vazhdojnë të jenë detyra e mbi 10 mijë trupave amerikane që do të qëndrojnë në Afganistan për këtë vit. Forcat afgane kanë nevojë për këtë ndihmë, pas intensifikimit të sulmeve talibane.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luftojnë terrorizmin duke iu kundërvënë ekstremistëve të grupit ISIS. Shteti Islamik doli si një problem global në 2014, pasi mori rajone të mëdha në Irak dhe Siri dhe ekzekutoi një numër shtetasish perëndimorë.

Goditjet ajrore kundër këtij grupi duket se po japin rezultat dhe analistët parashikojnë suksese të vazhdueshme:

“Mendoj se Iraku, me angazhimin e ushtrisë kurde dhe ushtrisë kombëtare me komandë në Bagdat, me mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara, do të shënojë përparim në 2015”.

Një tjetër objektiv është përparimi në bisedimet mes gjashtë fuqive botërore me Iranin për një marrëveshje mbi programin bërthamor. Negociatorët kanë vendosur si afat korrikun pasi afati i nëntorit kaloi pa marrëveshje.

“Këto bisedime nuk do të bëhen më të lehta, thjesht si rezultat i zgjatjes së afatit kohor. Këto kanë qenë dhe do të mbeten bisedime të vështira”.

Analistët thonë se Kongresi i kontrolluar nga republikanët mund t’i ndërlikojë më tepër gjërat:

“Anëtarët e Kongresit duan të vendosin sanksione të reja, gjë që mund të ketë një efekt negativ mbi bisedimet”.

Rusia është një tetër temë e nxehtë për efektin e sanksioneve. Shtetet e Bashkuara reaguan ndaj mbështetjes që Moska u jep separatistëve në Ukrainën lindore duke vendosur sanksione kundër Rusisë që kanë rezultuar në rënien e ekonomisë ruse dhe vlerës së rublës. Por konflikti në Ukrainë është një mosmarrëveshje që zyrtarët amerikanë janë të vendosur ta zgjidhin:

“Askush nuk i ka braktisur marrëdhëniet SHBA-Rusi. Këto marrëdhënie duhen përmirësuar”.

Shtetet e Bashkuara thonë se sanksionet kundër Moskës mund të lehtësohen nëse Rusia ndërmerr një numër masash, ndër të cilat tërheqjen e trupave nga territori ukrainas.

Koreja e Veriut mbetet një shqetësim madhor. Hetuesit amerikanë fajësuan qeverinë komuniste të Phenianit për sulmin kibernetik ndaj Sony Pictures Entertainment. Presidenti Obama vendosi sanksione të reja kundër Koresë së Veriut në fillimin e vitit të ri.

XS
SM
MD
LG