Lidhje

Shqetësimet për Greqinë tronidisin tregjet e aksioneve


Tregjet e aksioneve ranë sot për të dytën ditë me radhë për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe shqetësimeve se Greqia mund të largohet nga eurozona. Këto shqetësime kanë nxitur më tej dyshimet rreth perspektivës së rritjes ekonomike globale.

Çështja nëse Evropa mund ta përballojë dot një tjetër krizë në Greqi ka shtuar pasiguritë financiare për eurozonën, ndërkohë që vendet anëtare përpiqen të krijojnë rritje ekonomike dhe vende pune.

Disa analistë dhe politikanë thonë se një krizë tjetër në Greqi nuk do të ishte aq e rëndë për eurozonën sa ajo e para dhe problemet e borxhit me të cilat u përball Greqia në vitet 2010-2012.

Ata thonë se blloku i eurozonës ka garanci të reja parandaluese.

Fidel Helmer, ekspert i Bankës Hauck and Aufhause në Frankfurt, thotë se duhet të ndodhë diçka shumë e madhe për të krijuar dëme serioze në Eurozonë.

"Nuk e shoh euron aspak në rrezik. Edhe sikur në Greqi të vijë një qeveri e majtë, ajo do të detyrohet të formojë koalicion dhe do të duhet t'i plotësojë patjetër kontratat ekzistuese."

Zoti Helmer thotë se rënia e euros dhe çmimet e ulëta të naftës duhet të shihen me optimizëm, sepse ato mund të veprojnë si stimuj për ekonominë evropiane.

Mundësia që në Greqi t'i fitojë zgjedhjet partia e majtë Syriza, e cila është kundër masave shtrënguese financiare, ka ngjallur dyshime nëse vendi do t'i zbatojë kushtet e paketës së shpëtimit dhe do të qëndrojë në eurozonë.

Gjermania ka paralajmëruar se kushtet e paketës financiare duhet të zbatohen.

Euroja ndërkohë vazhdon të jetë nën trysni edhe për shkak të dyshimeve ndaj perspektivës së rritjes ekonomike në rajon dhe ndaj mundësisë që Banka Qendrore Evropiane të zgjerojë stimulin monetar.

XS
SM
MD
LG