Lidhje

Mercedes në Panairin e Elektronikës


Gara për të qënë prodhuesi i parë i makinave që lëvizin pa ndihmën e shoferit është ashpërsuar më tej. Në Panairin Ndërkombëtar të Elektronikës në Las Vegas, kompania Mercedes-Benz paraqiti modelin futurist F 015, për të cilën ekspertët thonë se mund të ndryshojë shoqërinë dhe mënyrën se si ne e shohim automjetin.

Drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Daimler Dieter Zetsche, paraqiti makinën luksoze elektrike që funksionon me bateri me diegie të brendshme. Arritja e makinës në panair skenë u prit me duartrokitje në sallë ndërsa dyert e makinës u hapën për të treguar se ajo ishte automatike dhe lëvizte pa shofer.

Zoti Zetsche shpjegoi se makina pa shofer do të ndryshojë shoqërinë dhe mënyrën sesi konceptohen automjetet.

``30 vjet më parë i shihja këto foto dhe ëndërroja për këto makina. Tani të jesh pjesë e realizimit të kësaj ëndrre është fantastike. Ne kemi përgjegjësinë pasi jemi kompania që shpiku makinën. Pra ne duhet të jemi ata që sjellim ndryshimin e madh.''

Makina luksoze F 015, me kabinën e saj të bollshme dhe katër vende, hap mundësi të reja për makinat vet-lëvizëse. Dhe duke ruajtur traditën e Mercedesit dhe konceptin e makinave luksoze, vendi i pasagjerëve është tepër modern: sedilje me lëkurë, alumin i lëmuar dhe xhama të ndriçuar në ngjyrë blu.

Mercedes i jep meritë sistemit të sensorëve që mundëson lëvizjen e pavarur të makinës. Sistemi ``Extended Sense'' monitoron vazhdimisht rrugën përmes përdorimit të kamerave, radarëve dhe sensorëve ultrasonikë.

Ndonëse disa karakteristika të ndryshme gjysmë-automatike janë tani në disa makina në qarkullim, zoti Zetsche thotë se makinat që lëvizin vetë janë ende një dekadë larg.

“Dekadën e ardhshme, mund të presim makina pa shofer në rrugë. Ne tashmë kemi elementë të rëndësishëm të këtyre makinave. Ato mund të lëvizin vetë deri në 15 milje në orë.''

Mercedes-Benz është në mes të një numri të rritje kompanish që marrin pjesë këtë vit në panairin e Las Vegasit me shpresë për të demonstruar ndërthurjet mes teknologjisë dhe industrisë së automobilëve.

Panairi Ndërkombëtar i Elektronikës është më i madhi në botë i këtij lloji dhe tërheq më shumë se 150 mijë vizitorë. Ai u hap sot dhe mbyllet më 9 janar.

XS
SM
MD
LG