Lidhje

Marshim paqësor në Shkodër


Disa qindra qytetarë të Shkodrës morën mbrëmë pjesë në një marrshim paqësor nëpër rrugët kryesore të qytetit me moton “Bashkëjetesa fetare ndërton të ardhmen”. Në këtë marrshim, qytetarët e Shkodrës u thirrën nga Arqipeshkvia metropolitane e Shkodër-Pultit, Komisioni “Drejtësi dhe Paqe” dhe Komuniteti Sant’Egidio.

Marrshimi nisi nga Katedralia e qytetit për të vazhduar drejt shtatores së Nënë Terezës dhe përpara Xhamisë së Madhe Ebu Beker, në qendër të qyteti. Marrshuesit mbanin në duar pishtarë të ndezur dhe një banderolë ku shkruhej “ Bashkëjetesa fetare ndërton të ardhmen”.

Duke folur përpara qytetarëve te shumtë, e reja Xhoana Marashi tha se konfliket fetare në Siri si dhe ngjarja e fundit tragjike në Francë, dëshmojnë se sa e rendësishme është që të respektohen liritë fetare.

"Askush të mos e përdorë fenë për veprime që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e tij themelore, në rrallë të parë me të drejtën e jetës dhe lirisë fetare. Kjo që ndodh në Shqipëri tregon përkundër se, bashkëjetesa paqësore dhe e frutshme mes njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare, është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht."

Ndërsa Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Engjëll Masafra u shpreh se paqja është e mundur dhe se të gjithë mund të bashkëpunojnë për të ndërtuar një botë në paqe dhe në harmoni mes besimeve të ndryshme fetare, gjë, që siç u shpreh ai, e dëshmon edhe Shqipëria.

"Vertetë paqja është e mundur dhe kjo paqe që kemi ne në Shqipëri ta gëzojë çdo popull, pavarësisht nga raca, nga gjuha dhe nga feja. Faleminderit dhe Zoti na ndihmoftë që çdo njeri të jetojë në paqe; në paqe me ndërgjegjen e vet, në paqe me Zotin dhe me njëri tjetrin."

Në marrshimin për paqen, që u zhvillua mbrëmë në qytetin e Shkodrës, morrën pjesë nje numër i madh të rinjsh, jo vetëm nga qyteti, por edhe nga fshatrat në afërsi të qytetit.

XS
SM
MD
LG