Lidhje

Dita e Martin Luther Kingut dhe qyteti Ferguson


E hëna e tretë e janarit është një ditë feste kombëtare në Shtetet e Bashkuara, në përkujtim të ditëlindjes së aktivistit të njohur të të drejtave civile, Martin Luther King.

Këtë vit, kjo ditë ka një domethënie të veçantë për shumë njerëz, në vijim të ngjarjeve të muajve të fundit në Ferguson të Mizurit dhe në Nju Jork.

Nëse do të ishte gjallë sot, çfarë do të thoshte Martin Luther King për vdekjen gjatë përplasjes me policinë të dy të paarmatosurve - Michael Brown në Ferguson të Mizurit, dhe Eric Garner në qytetin e Nju Jorkut – apo çdo të thoshte ai për zemërimin dhe protestat që pasuan?

“Unë kam një ëndërr: që të katër fëmijët e mi të vegjël do të jetojnë një ditë në një vend ku nuk do të paragjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.”

Fjalimi i famshëm i King, i mbiquajtur “Unë kam një ëndërr”, u mbajt gjatë një marshimi në vitin 1963 në Uashington, dhe shënoi një ngjarje monumentale në përpjekjet për t’i dhënë fund ndarjes raciale dhe për të vendosur të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e Shteteve të Bashkuara.

Muajin e kaluar pati një tjetër marshim drejt Uashingtonit. Dhjetëra mijëra demonstrues në kryeqytetin e vendit bënë thirrje për drejtësi për vdekjet e Michael Brown dhe Eric Garner.

Kjo demonstratë ishte paqësore.

Mbesa e Martin Luther King, Alveda King, e cila edhe të atin e pati një aktivist të të drejtave civile, sugjeroi se protestat e dhunshme në Ferguson, ku një juri gjyqësore nuk ngriti akuza ndaj policit të përfshirë në vdekjen e Brown, nuk ishin përqasja e duhur.

Ajo e konsideroi agresiv slloganin e protestave të Fergusonit, “Pa drejtësi nuk ka paqe”, dhe tha se vetëm protestimi paqësor mund të çojë drejt rezultateve pozitive. Ajo kujtoi vitin 1963 kur shtëpia e saj u sulmua me bombë.

“Më kujtohet dita kur babai po qëndronte në makinë dhe ndërkohë njerëzit dëshironin të bënin të njëjtën gjë që bënë në Ferguson – po përpiqeshin të përmbysnin makinat e policisë, dhe po hidhnin gurë. Po bëheshin shumë të dhunshëm. Më kujtohet babai që u ngrit me një megafon në dorë mbi makinë dhe bëri thirrje të mos bënin trazira, të mos ishin të dhunshëm. U kërkoi njerëzve të shkonin në shtëpitë e tyre dhe të luteshin.”

Disa kritikë të protestave sugjerojnë se demonstratat kanë krijuar armiqësi ndaj policisë, dhe mund të kenë çuar drejt vrasjes së dy policëve, Rafael Ramos dhe Wenjian Liu, në qytetin e Nju Jorkut.

Një nga gjërat pozitive që ka pasuar është diskutimi paqësor në lidhje me diskriminimin racial që ndodh në mediat sociale.

“Kur shikoj moton ‘jetët e të zinjve kanë rëndësi’, me përforcohet besimi se të gjitha jetët kanë rëndësi, që nga momenti i lindjes dhe deri në fund; jetët e pleqve, të të rinjve, të të arsimuarve dhe të atyre në nevojë.”

Në nderim të kësaj dite, parada organizohen në shumë qytete dhe këndohen himne në kishat në mbarë vendin. Amerikanët, përfshirë presidentin dhe familjen e tij, marrin pjesë në projektet e komunitetit që synojnë të bashkojnë Amerikën.

Alveda King thotë se kjo ishte ëndrra e xhaxhait të saj – ta shikonte këtë komb të bashkuar dhe në paqe.

XS
SM
MD
LG