Lidhje

Mbledhja e parë e kabinetit të ri grek


Kryeministri i ri i Greqisë tha sot se përparësitë kryesore të qeverisë së tij janë negocimi me kreditorët për të zgjidhur problemin e borxhit dhe trajtimi i asaj që e cilësoi si kriza humanitare në vend. Në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar, Alexis Tsipras tha se ishte gati për një plan fiskal që do të balanconte buxhetin. Plani, tha ai, përfshin edhe “propozime realiste” për të shndërruar kreditë masive të Greqisë në një detyrim më të përballueshëm.

“Jemi gati me propozime realiste për problemin e borxhit, me një plan të integruar për investimet, në mënyrë që të arrijmë rindërtimin e vendit dhe, përmes këtij procesi, t’i rikthejmë Greqisë aftësinë për të përballuar detyrimet e saj”.

Në përgjigje të shqetësimeve se çfarë forme do të marrin kërkesat e qeverisë greke për ri-negocimin e borxhit, zoti Tsipras tha se nuk synohen politika të shkatërrimit të ndërsjelltë, por gjithashtu qeveria e tij nuk do të pranojë ato që ai i cilësoi si politika të nënshtrimit, që sipas zotit Tsipras kanë çuar në shkatërrimin e vendit.

Partia Syriza, fituese e zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, ka formuar një koalicion qeverisës me një forcë të ekstremit të djathtë, duke zgjuar shqetësime tek ndërkombëtarët se Athina po përgatitet për një ballafaqim të vështirë mbi problemin e borxhit.

Borxhi ndërkombëtar i shoqëruar me kushte të rrepta disipline buxhetore, ka sjellë vështirësi të mëdha për grekët, të cilët i dhanë Syriza-s votën me shpresën për negocimin e termave më lehtësuese të kredisë. Tani që Syriza ka formuar kabinetin e ri, në rrugët e Athinës ndjehet një optimizëm i rezervuar, i shoqëruar me shumë mëdyshje:

“Të gjithë ne grekët shpresojmë se kryeministri Tsipras do të ketë sukses. Por shenjat e para nuk janë krejt pozitive. Syriza premtoi një formacion elastik, por tani që kanë krijuar një qeveri me 40 ministra, kanë përfshirë në kabinet shumë pak gra. Të shpresojmë se do t’ia dalin”.

Ka edhe grekë që e shohin zgjedhjen e një partie majtiste si një ogur shumë të keq për vendin.

“Çfarë mund të pres nga ky djalë i vogël? Çfarë mund të pres nga majtistët? Jemi si mbi gjemba, të shohim ç’do të ndodhë. Parashikoj që për pesë-gjashtë muaj, çdo gjë do ta marrë djalli,” shprehet kjo banore e Athinës.

Ajo shqetësohet se me zgjedhjen e Syrizës, vendi do të tërhiqet nga Eurozona, një shqetësim real edhe për vetë Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare që përdorin monedhën euro.

XS
SM
MD
LG