Lidhje

15 të vrarë nga luftimet në Debaltseve të Ukrainës


Bisedimet e paqes mes qeverisë së Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë që u zhvilluan sot në Minsk përfunduan pa marrëveshje, ndërkohë që vazhdojnë luftimet në pjesën lindore të vendit duke shkaktuar të vrarë ndër ushtarë e civilë.

Goditjet e artilerisë lanë 12 të vdekur sot, sipas shefit të policisë në rajonin e Donetskut.

Qeveria ende ka nën kontroll rrugën hekurudhore dhe akset rrugore, por ka pasur mungesa uji, gazi dhe energjie elektrike prej disa ditësh.

Armëpushimi i arritur në shtator të vitit të kaluar është shkelur shpesh nga të dyja palët dhe dështoi plotësisht javën e kaluar kur kryengritësit njoftuan një ofensivë për të marrë nën kontroll territor të ri.

Ministri i mbrojtjes i Ukrainës tha se në luftimet e së premtes në një qytet strategjik në lindje të Ukrainës u vranë 15 ushtarë.

Stepan Poltorak tha sot se 30 ushtarë u plagosën në luftimet e ashpra mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në qytetin Debaltseve që kontrollohet nga forcat qeveritare dhe ndodhet në një kryqëzim hekurudhor që lidh dy qendra të kontrolluara nga rebelët.
Autoritetet ukrainase thonë se shtatë civilë u vranë dje nga bombardimet e rebelëve në qytet. Dëshmitarët thonë se trupat ukrainase dhe rebelët pro-rusë shkëmbyen të shtëna me tanke dhe armë artilerie.

Rebelët thanë dje se ata po rrethonin garnizonet qeveritare në qytet dhe kishin marrë nën kontroll qytetin e afërt të Vuhlehirskut. Pretendimet e tyre nuk janë konfirmimuar nga burime të pavarura.

Po dje, administrata e qytetit të Donetskut që kontrollohet nga rebelët pro-rusë njoftoi se pesë persona u vranë nga bombardimet ndërkohë që ata po prisnin për marrjen e ndihmave humanitare jashtë një qendre kulturore, ndërsa dy njerëz të tjerë vdiqën kur bombardimet goditën një autobus në një pjesë tjetër të qytetit.

Zyrtarët e qytetit fajësuan forcat qeveritare të Ukrainës për sulmet. Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare i qeverisë ukrainase fajësoi rebelët për bombardimet jashtë qendrës kulturore dhe tha se në këtë sulm u vranë shtatë njerëz.

XS
SM
MD
LG