Lidhje

Shteti Islamik ekzekuton pengun japonez


Mbreti Abdullah i Jordanisë thotë se vendi i tij po bën ç’është e mundur për të shpëtuar pilotin jordalez që mbahet peng nga Shteti Islamik. Autoritetet në Aman kanë përsëritur zotimin për të liruar një kryengritëse irakiane që është dënuar me vdekje nëse dëshmohet se piloti është gjallë. Përpjekjet zhvillohen ndërkohë që në Japoni janë zhvilluar ceremoni nderimi për gazetarin Kenji Goto, i cili besohet se është ekzekutuar nga ekstremistët e Shtetit Islamik.


Ndërkohë që japonezët po mbanin zi për humbjen e gazetarit të tyre, të afërmit e pilotit ushtarak jordanez Muath al-Kasaesbeh i kërkuan qeverisë në Aman që të jetë më e hapur në negociatat për lirimin e pilot nga militantët.


Fatet e dy pengjeve më parë ishin ndërlidhur, por në videon ku tregohet ekzekutimi i gazetarit japonez nuk përmendet piloti al-Kasaesbeh, duke ngritur shqetësime për jetën e tij.
Japonia dhe Shtetet e Bashkuara dënuan ekstremistët e Shtetit Islamik për vrasjen Kenji Gotos pasi një video e publikuar mbrëmë në internet tregonte ekzekutimin e tij.

"Japonia asnjëherë nuk do të dorëzohet para terrorizmit. Ne do të zgjerojmë më tej mbështetjen tonë humanitare me ushqime dhe ilaçe. Japonia do të marrë me vendosmëri përgjegjësinë që i takon në përpjekjet ndërkombëtare për luftimin e terrorizmit", tha kryeministri japonez Shinzo Abe.

Prindërit e gazetarit u zotuan se do të vazhdojnë punën e djalit të tyre.

"Ai gjithmonë shpresonte ta bënte botën një vend pa luftra, dhe të shpëtonte fëmijët nga lufta dhe varfëria. Unë ju premtoj këtu se do ta vazhdoj misionin e tij dhe shpresoj se do të marr mbështetjen tuaj", tha nëna e gazetarit të vrarë.

Videoja e re e ekzekutimit të Kenji Gotos u shfaq dy ditë pas afatit të fundit të militantëve për lirimin e një gruaje të burgosur irakiane e cila ishte përpjekur të kryente sulm vetëvrasës. Por Japonia tha se përpjekjet për lirimin e gazetarit Goto dhe pilotit jordanez Muath al-Kasaesbeh "ishin bllokuar".

Një grup që mbështet familjen e pilotit ka filluar të humbasë shpresat.

"Deri më tani informacionet që ne kemi marrë për fatin e Muath-it janë të paqarta, ne nuk e dimë nëse ai është gjallë apo i vdekur. Madje edhe informacioni që kemi marrë nga palë të tjera nuk ka treguar shenja shprese se ai është ende gjallë'', thotë Hussam Al-Kasaesbeh.

Jordania tha se do të lironte të burgosuren irakiane nëse merr dëshmi se piloti jordanez është ende gjallë.

XS
SM
MD
LG