Lidhje

Obama paraqet projekt-buxhetin


Sot Presidenti Barack Obama paraqet projekt-buxhetin për vitin 2016. Dokumenti i administratës është vetëm hapi i parë i një debati të gjatë për financat e Amerikës që do të ekspozojë mosmarrëveshje të thella mes një presidenti demokrat dhe një kongresi të kontrolluar nga republikanët.

Lajmi i mirë është se defiçiti federal ka rënë më shumë se 50 për qind vitet e fundit. Përmirësimi i gjendjes financiare në Shtetet e Bashkuara i hapin rrugën përqendrimit tek nevojat e brendshme që në vitet e fundit nuk janë plotësuar, sipas Presidentit Obama.

“Së pari, ekonomi për klasën e mesme do të thotë të ndihmosh familjet e zakonshme të ndjehen më të sigurta në një botë ndryshimi të përhershëm. Kjo do të thotë të ndihmosh njerëzit të përballojnë kujdesin për fëmijët, shtëpinë, koston e universitetit, kujdesin shëndetësor, pensionin dhe buxheti im i parashikon të gjitha këto: uljen e taksave për familjet që punojnë dhe kthimin e mijëra dollarëve për ta çdo vit”.

Projekt-buxheti i presidentit pritet të anullojë shkurtimet automatike të shpenzimeve që kanë ndikuar që tek gadishmëria ushtarake deri tek përgjigjia ndaj krizave shëndetësore si Ebola.

Por parashikimet fiskale nuk janë të gjitha pozitive. Çdo lloj defiçiti, pavarësisht sa i vogël shkakton rritjen e mëtejshme të borxhit kombëtar prej 18 trilionë dollarësh, një fakt që theksohet shpesh nga ligjvënësit republikanë që thonë se buxheti i zotit Obama nuk ka asnjë shans të miratohet. Ja ç’thotë senatori John Cornyn.

“Jam i shqetësuar se buxheti do të ngarkohet me më shumë taksa, më shumë shpenzime dhe më shumë borxhe. Kjo sigurisht nuk është një rrugë e përshtatshme për vendin. Ne vazhdojmë të shpenzojmë para që nuk i kemi”.

Komisionet e kongresit do të paraqesin propozime për shpenzimet që pasqyrojnë përparësitë republikane: kufizimin e shpenzimeve të brendshme dhe ulje taksash për të nxitur aktivitetin ekonomik.

Por shqetësimi i shprehur prej tyre për mungesën e balancës fiskale anashkalon precedentët e fundit, kur defiçiti dhe borxhet shpërthyen nën kontrollin republikan, sipas senatorit Bernie Sanders.

“Jam i kënaqur që disa nga miqtë e mi republikanë kanë shprehur shqetësim për defiçitin dhe borxhin kombëtar. Do t’i pyesja se ku ishin para disa vjetësh kur ndërhymë në Irak dhe harruam të paguanim për këtë luftë?”

Kushtetuta amerikane i jep kongresit kompetencat të miratojë ligje për taksat dhe shpenzimet. Por presidenti mund të nënshkruajë apo t’u vërë veton ligjeve, që do të thotë se një marrëveshje mes dy degëve të qeverisë do të duhet të arrihet në mënyrë që qeveria të vazhdojë të funksionojë përtej shtatorit kur skadon buxheti aktual.

XS
SM
MD
LG