Lidhje

BE, hetim të pavarur në Maqedoni


Maja Kocijancic
Maja Kocijancic
Bashkimi Evropian ngul këmbë për një hetim të pavarur lidhur me akuzat kundër drejtuesit të opozitës në Maqedoni për përpjekje për grusht-shteti.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian Maja Kocijançiç duke folur nga Brukseli tha se vendet anëtare kërkojnë një proces të pavarur dhe transparent të hetimit. Zëdhënësja ka shprehur shqetësimin e Bashkimit Evropian për gjendjen politike në Maqedoni dhe për mënyrën se si janë trajtuar ngjarjet gjatë fundjavës në mjetet e informimit në Shkup rreth rastit në fjalë.
Më parë, edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup shprehu shqetësim lidhur me rastin, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve që të plotësojnë standardet më të larta të sundimit të ligjit, transparencës, drejtësisë, të mbrojtjes së fjalës së lirë, si dhe të pavarësisë së gjyqësorit me qëllim sigurimin e integritetit të proceseve demokratike në Maqedoni.
Sot kanë reaguar edhe patia shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate me anë të së cilës kërkon transparencë dhe paanshmëri të procesit gjyqësor në rastin Zaev.
Drejtuesi opozitar maqedonas nuk është arrestuar por atij i është marrë pasaporta. Zoti Zaev i hedh poshtë akuzat e organeve të rendit dhe të kryeministrit Nikolla Gruevski për përpjekje të marrjes së pushtetit me anë të dhunës dhe t’i ketë marrë dëshmitë nga shërbimet e huaja sekrete. Ai thotë se dëshmitë, për të cilat mendohet se janë kryesisht regjistrime bisedash telefonike të zyrtarëve të lartë shtetërorë maqedonas, i ka marrë nga shërbime që janë nën kontrollin e partisë VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit.
Opinioni publik në Maqedoni me kurreshtje po pret zbardhjen e këtyre dëshmive nga drejtuesi opozitar, i cili ka bërë të ditur se janë mijëra qytetarë të përgjuar nga policia. Zoti Zaev që prej para disa muajsh paralajmëronte se kishte shumë informata për veprime kriminale të pushtetit për çka ai shprehej në mënyrë figurative se paraqesin një “bombë”. Gjatë kësaj periudhe, kërkesat e partisë së tij Lidhja Social Demokrate për formimin e një qeveria teknike e cila do ta shpiente vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme, nuk u pranuan nga pushteti.
XS
SM
MD
LG