Lidhje

Carter favorizon dhënien e armëve Ukrainës


Ashton Carter
Ashton Carter

I emëruari i Presidentit Obama për postin e Sekretarit të ardhshëm të Mbrojtjes, thotë se ai favorizon dërgimin e ndihmës ushtarake amerikane në Ukrainë dhe përshpejtimin shitjes së armëve për Jordaninë. Zoti Ashton Carter mendon gjithashtu se Irani dhe Shteti Islamik janë kërcënimet më të mëdha në Lindjen e Mesme. Ai dëshmoi në një seancë konfirmimi para Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, që tani kontrollohet nga disa prej kritikëve më të ashpër republikanë të presidentit Obama mbi çështjet globale të sigurisë.

Ndërkohë që konflikti në Ukrainë vazhdon të përhapet dhe të intensifikohet, qeveria e Kievit ka nevojë për ndihmën ushtarake amerikane për të mundur rebelët e mbështetur nga Rusia, thotë kandidati për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, Ashton Carter.

"Mendoj se ne duhet të mbështesim ukrainasit që ata të mbrohen. Mendoj se duhet t’u ofrojmë atyre armë " tha zoti Carter.

Deri tani, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit pajisje të tjera ushtarake por jo armë, një politikë e cila tani është nën shqyrtim.

Zoti Carter premtoi gjithashtu se, nëse konfirmohet, do të përshpejtojë shitjet e armëve për Jordaninë, një aleat i rëndësishëm amerikan në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Premtimi erdhi pasi Jordania ekzekutoi dy xhihadistë si kundërpërgjigje ndaj vrasjes brutale të një piloti jordanez dhe u mirëprit nga kryetari i komisionit, republikani John McCain.

"Shqetësimi i këtij komisioni është të sigurohemi se Jordania do të ketë të gjitha paisjet dhe burimet e nevojshme për të luftuar kundër ISIL-it".

Ashton Carter, zyrtar i Pentagonit, që ka shërbyer për një kohë të gjatë në këtë departament dhe studiues i çështjeve globale, paralajmëroi për efektet negative që shkurtimet automatike buxhetore mund të kenë mbi gatishmërinë ushtarake dhe premtoi se do të mbrojë atë që është arritur në Afganistan. Ai përmendi Iranin si një kërcënim të madh të sigurisë në Lindjen e Mesme, dhe shprehu mbështetje të fuqishme për fushatën e administratës Obama për të mposhtur Shtetin Islamik.

"Ne duhet të mundim ISIL-in. Është e rëndësishme që ata të mposhten një herë e mirë".

Kjo deklaratë shkaktoi një reagim të ashpër nga senatori McCain i cili prej kohe i ka bërë trysni administratës për një përgjigje më të fuqishme amerikane ndaj Shtetit Islamik.

"Kjo nuk ka shenjat e një strategjie" tha zoti McCain.

Në përgjithësi, zoti Carter u prit ngrohtë nga senatorët e të dyja partive, shumë prej të cilëve i kërkuan atij që të reformojë procedurat e prokurimit në Pentagon për të shfrytëzuar më mirë buxhetin prej gjysmë-trilionë dollarësh.

Konfirmimi i tij duket i pashmangshëm për republikanin Roger Wiker.


"Unë mezi pres konfirmimin tuaj, dhe mezi pres të fillojë të punoj me ju”, tha senatori.

Nëse konfirmohet, Zoti Carter do të zëvendësojë Sekretarin e Mbrojtjes Chuck Hagel, i cili e ka qenë në krye të Pentagonit që nga fillimi i vitit 2013.

XS
SM
MD
LG