Lidhje

Greqi, Tsipras zotohet të mbajë premtimet e fushatës


Në rrugët e Athinës, njerëzit dukeshin sot optimistë pas deklaratave të bëra dje nga kryeministri Alexis Tsipras, i cili premtoi se qeveria do t'i ndihmojë njerëzit më në nevojë, të prekur nga masat shtrënguese që i janë imponuar Greqisë nga kredidhënësit ndërkombëtarë. Disa analistë parashikojnë se me ekonominë e saj të dobët, Greqia më në fund do të detyrohet të largohet nga blloku prej 19 anëtarësh i monedhës euro.

Kryeministri grek paraqiti dje përpara ligjvënësve deklaratën e parimeve të qeverisë, ku ai përfshinte të gjitha premtimet e bëra nga partia e tij e ekstremit të majtë Syriza në manifestin para zgjedhjeve të muajit të kaluar. Zoti Tsipras shpalli fundin e masave shtrënguese, edhe nëse kjo do ta vinte vendin në një kurs përplasjeje me Evropën.

"Ju bëj thirrje për t'i dhënë votëbesimin qeverisë së shpëtimit social. Ju bëj thirrje të na bashkoheni në këtë luftë për vendin tonë, për të ardhmen e brezave të ardhshëm, që njerëzit tanë të mund të rifitojnë shpresën dhe dinjitetin e humbur. Ne do ta bëjmë këtë betejë së bashku," tha zoti Tsipras.

Ai tha se Syriza do t'i mbajë premtimet e fushatës, duke u dhënë ushqim dhe energji elektrike falas njerëzve në nevojë. Ai tha gjithashtu se do të ri-hapë televizionin publik, që ishte mbyllur nga qeveria e mëparshme për të kursyer para.

Njerëzit që ecnin sot nëpër qendrën e Athinës shfaqën shpresën se programi politik i kryeministrit do të sjellë ditë më të mira pas disa vjetësh shtrëngimi financiar.

"Ata do të përpiqen të kenë sukses. Sigurisht, ne nuk e dimë se si do të jetë rezultati, por shpresojmë të jetë sa më i mirë. Jemi të gjithë me qeverinë. Mendoj se e gjithë Greqia është me ta," thotë Antonis Alvertis.

Zoti Tsipras dhe ministri i Financave, Yanis Varoufakis vizituan disa kryeqytete evropiane javën e kaluar, duke u kërkuar zyrtarëve kryesorë financiarë një kredi kalimtare deri në muajin maj, që vendi të ketë mundësi të paguajë borxhin ndërsa përpiqet të negociojë kushte të reja për paketën financiare prej 300 miliard dollarësh.

Por zyrtarët evropianë kanë ngulur këmbë që Greqia të respektojë kushtet e vëna dhe kanë shprehur pak interes për të shkurtuar borxhin e saj.

Zoti Tsipras tha se Greqia dëshiron të shlyejë borxhet, por ka nevojë për të rinegociuar kufizimet që i janë vënë nga kreditorët. Kësti aktual i ndihmës për vendin mbaron në fund të këtij muaji.

Disa analistë parashikojnë se Greqia, me papunësinë e lartë dhe ekonominë e dobët, një ditë do të detyrohet të largohet nga blloku i monedhës euro prej 19-vendesh.

XS
SM
MD
LG