Lidhje

Spitalet dhe lufta në Ukrainë


Dhjetra trupa të plagosura ukrainase mbërrijnë çdo ditë në Spitalin Qendror të qytetit Artemivsk në rajonin e Donetskut, 40 kilometra larg qytetit Debaltseve të kontrolluar nga qeveria, që javën e kaluar ishte rrethuar nga kryengritësit e mbështetur nga Rusia. Për një farë kohe, ambulancat po mbërrinin çdo disa minuta një ditë në janar, me trupa të plagosura në zonën e luftimit aty pranë. Shokët e tyre lëviznin me shpejtësi për t’i ndihmuar dhe personeli mjekësor nxitonte që t’u jepte mbështetjen e duhur.

Si në çdo luftë, ekipet e ambulancave bëjnë disa nga detyrat më të rrezikshme.

“Po vij nga dy vende por nuk i përmend emrat. Nga njëri prej tyre solla trupin e një të vrari dhe nga tjetri dy të plagosur. Veprimet nga pala ruse janë intensifikuar. Prandaj këto ditë janë të vështira”.

“Nevoja jonë më jetike është transporti mjekësor dhe i urgjencës. Kjo është një nga mungesat tona. Automjetet tona janë vazhdimisht nën breshëri dhe ky është një problem i madh”.

Brenda, shumë nga punonjësit e mjekësisë nuk duan që të shfaqin fytyrën para kameras nga frika e hakmarrjes nëse kryengritësit marrin qytetin.

Të plagosurit nuk flasin para kameras por mjafton t’i shohësh fytyrat që t’i kuptosh historitë e tyre. Një burrë ka plagë shrapneli në krah dhe këmbë nga goditja në një fshat pranë Debaltses.

Një mjek e pavijonit të traumës që jep vetëm emrin Nikolai kontrollon trupat e plagosura. Ai thotë se spitalit po i mbarohet hapësira dhe iu desh të thërriste një mjek tjetër për të ndihmuar, teksa vinin të plagosurit.

“Sapo dola nga salla e operacionit. I premë këmbën një ushtari. Ata kaluan me një automjet mbi një minë ndërsa po evakuonin të plagosurit”.

Doktori thotë se plagosjet nga shpërthimet janë më të shpeshtat dhe më të rëndat, duke depërtuar thellë dhe duke plagosur pjesë trupi. Ai njofton për të paktën 40 raste në ditë gjatë javës së kaluar, më shumë se shifrat zyrtare të qeverisë për të gjithë zonën e luftës.

Personeli mban me kujdes të dhënat që kthehen në shifra të ftohta kur bëhen pjesë e njoftimeve të medias.

Por në spital ata janë thjesht të rinj që vuajnë nga plagë të tmerrshme, ndoshta aq të rënda sa ia kanë shndërruar jetën.

Dhe ka edhe nga ata të cilëve këtu u mbyllet jeta, një tragjedi familjare dhe një statistikë tjetër: 13 të vrarë në një ditë, 15 një ditë tjetër, mbi 5 mijë ushtarë dhe civilë gjithsej që kur kryengritësit filluan revoltën e tyre në prill.

XS
SM
MD
LG