Lidhje

Shtohen masat e sigurisë në qendrat tregtare


Sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jeh Johnson po bën thirrje për vigjilencë publike pas publikimit të një videoje që besohet se është bërë nga grupi terrorist al-Shabab me qendër në Somali. Në video, terroristët bëjnë thirrje për sulme ndaj qendrave tregtare në Perëndim. Siç na njeh materiali në vazhdim, Sekretari Johnson thotë se videoja e fundit thekson faktin se kërcënimi global terrorist ka hyrë në një fazë të re.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se nuk ka njoftime specifike apo të besueshme për sulme ndaj qendrës tregtare më të madhe në Amerikë, Mall of America në Bloomington të shtetit Minesota apo ndonjë qendre tjetër tregtare në vend.

Deklarata vjen pas publikimit të shtunën vonë të një videoje që mendohet se është bërë nga grupi terrorist al-Shabab i lidhur me al-Qaidën. Grupi bën thirrje për sulme në qendrat tregtare perëndimore. Grupi në fjalë mori përgjegjësi për sulmet e shtatorit të vitit 2013 në qendrën tregtare Westgate në Nairobi ku u vranë 67 njerëz. Njeriu me maskë në video foli gjerësisht mbi atë sulm.

“Nëse një grup i vogël luftëtarësh muxhahedinë mund të gjunjëzonte Kenian për afro një javë, atëherë imagjinoni se çfarë mund të bëjë në Perëndim një muxhahedin i dedikuar në qendrat tregtare amerikane apo pronë izraelite në mbarë botën. Po sikur një sulm i tillë të ndodhë në qendrën tregtare Mall of America në Minnesota? Apo qendrën tregtare West Edmonton Mall në Kanada? Apo në Londër? Apo në qendrat tregtare Westfield me pronarë izraelitë në botën perëndimore.”

Njeriu me maskë paralajmëroi për më shumë sulme në Kenia pas operacioneve ushtarake të atij vendi kundër al-Shabab-it në Somalinë fqinje. Origjina e videos nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jeh Jonson, i ftuar në emisionin televiziv Meet the Press të rrjetit NBC, tha se grupet si Shteti Islamik po i bashkohen al-Qaidës në përdorimin me efikasitet të videove, rrjeteve sociale dhe internetit për të përçuar mesazhin e tyre tek komunitetet në vende të tjera dhe frymëzuar njerëz të pavarur për të kryer akte dhune.

“Duhet të jemi vigjilentë. Të shtojmë masat e sigurisë. Pati një thirrje për një sulm në disa vende në Kanada dhe Evropë. Si masë reaguese shtova praninë e njësive të sigurisë në ndërtesat qeveritare disa muaj më parë. Jam i bindur, siguria në këtë qendër tregtare në Minesota do të përmirësohet në mënyrë të dukshme dhe të padukshme. Por padyshim kërkohet edhe vigjilenca e publikut dhe ndërgjegjësimi. Slogani, ‘nëse sheh diçka thuaj diçka’, duhet të realizohet në praktikë.”

Qendra tregtare Mall of America, pranë një komuniteti të madh somalezo-amerikan, thotë se ka futur në zbatim masa të tjera sigurie. Prokurorët federal të enjten ngritën akuza ndaj një burri në Minnesota nën dyshimet për mbështetje të Shtetit Islamik dhe mashtrim të autoriteteve federale gjatë një hetimi për terrorizëm. 19 vjeçari Hamza Naj Ahmed, së bashku me tre të tjerë, ishte arrestuar në nëntor, për siç thuhet, përpjekje për të udhëtuar drejt Sirisë përmes Turqisë.

Policia kanadeze tha të dielën se hetimet e tyre nuk kanë zbuluar ndonjë kërcënim të menjëhershëm nga grupi al-Shabab. Zëvendës shefi i policisë së Edmontonit, Brian Simpson thotë se qendra tregtare West Edmonton Mall ka një sistem mjfat të mirë sigurie që u përshtatet ndryshimeve në terren. Ai po ashtu tha se policia po punon nga afër me komunitetet somaleze dhe myslimane për të identifikuar dhe frenuar kërcënimet e reja.

“Mundësia jonë më e mirë për të trajtuar kërcënime të tilla është përfshirja e komuniteteve tona, veçanërisht për individë të izoluar, që veprojnë me kokë të tyre, pa qënë pjesë e ndonjë grupi të caktuar. Është komuniteti që mund të na oforjë shumë ndihmë duke identifikuar sjelljet radikale. Kjo është mundësia më e mirë dhe më e shpejtë për të ndërhyrë dhe çuar gjërat në vend. Terroristëve nuk u duhet dhënë më shumë rëndësi se sa kanë, sepse ata janë terroristë dhe po mundohen të krijojnë terror.”

Analisti për terrorizmin, Luke Howie me universitetin australian Monash, thotë se qendrat tregtare janë objekte të lehta sulmi për terroristët si rezultat i hapësirës së madhe dhe të lirë pa postoblloqe sigurie si në aeroporte. Për nga vetë natyra e tyre, thotë ai, qendrat tregtare janë shumë të vështria për t’i bërë të sigurta, ndaj kërcënimi i fundit po merret kaq seriozisht.

“Një grup si al-Shabab e publikon videon për përfitime propagandistike dhe për të gjetur individë të vetmuar që rrinë pranë kompjuterit dhe po radikalizohen dhe duan të veprojnë. Ndaj situata të tilla duhen shqyrtuar seriozisht. Agjencitë e shërbimeve të zbulimit mund të mos ketë informacione për ndonjë sulm të mundshëm, por një video e tillë mund të shërbejë si nxitje për idividë të izzoluar që janë simpatizantë të tyre.”

Sekreati amerikan i Sigurisë Kombëtare, Johnson thotë se grupet myslimano-amerikane i kanë thënë atij se organizata terroriste si Shteti Islamik po përpiqen të rrëmbejnë fenë islame. Zoti Johnsosn thotë se përdorirmi i termit “ekstremistë islamikë”, u jep atyre legjitimitet me fenë islame, ç’ka ata nuk e meritojnë.

XS
SM
MD
LG