Njoftimet e medias bëjnë të ditur se militanti i maskuar i Shtetit Islamik që shfaqet në disa vidio të pengjeve është identifikuar – por disa burime paralajmërojnë se këto njoftime mund të mos jenë të sakta.
Njoftimet sot citonin miq të Mohammed Emvazit që thonë se ai është personi i njohur me nofkën “Xhihadi John”.
Një Korrespondent i Zërit të Amerikës në Romë tha se burimet evropiane të zbulimit refuzuan të konfirmojnë se Emvazi është Xhihadi John, duke thënë se historia është më e komplikuar se kaq.
Personi shfaqet në video me të zeza, me maskë dhe armë. Zyrtarët amerikanë dhe britanikë nuk i kanë konfirmuar ende komentet e medias për identitetin e tij.
Emvazi njoftohet të jetë me origjinë kuvajtiane, i rritur në një familje të klasës së mesme dhe që praktikonte fenë myslimane. Miqtë dhe të afërmit thonë se ai filloi të radikalizohej vitet e fundit pas udhëtimeve në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.