Lidhje

Ukraina në qendër të takimit të BE-së


Bashkimi Evropian do të mbajë një qëndrim të bashkuar për sanksionet ndaj Rusisë lidhur me konfliktin në Ukrainë, por përparësia është forcimi i armëpushimit të brishtë të arritur në Minsk, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini.

``Ne qëndrojmë të bashkuar, dhe do të vazhojmë të jemi të bashkuar. Nuk është gjithmonë e lehtë por është gjithmonë e nevojshme. E dime shumë mirë, të gjitha vendet anëtare e dinë mire se bashkimi është forca jonë, është reagimi ynë më i efektshëm. Është gjithashtu veprimi ynë më i efektshëm kur bëhet fjalë për masa pozitive që mund të vendosim për zbatimin e marrëveshjes së Minskut. Edhe për sanksionet ne do të qëndrojmë patjetër të bashkuar,'' tha zonja Mogherini, në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Letoni.

Megjithë disa shenja përmirësimi në terren, tani për tani nuk shtrohet aspak lehtësimi i sanksioneve, tha shefja e BE-së.

``Të gjitha përpjekjet që po bëjmë në terren, në Kiev me delegacionin tonë, me mbështetjen që po i japim marrëveshjes së Minskut, kjo është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.''

Komentet e saj vijnë ndërsa vazhdon dhuna në Ukrainë megjithë marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Minsk muajin e kaluar, që bën thirrje për tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore kanë akuzuar Rusinë se dërgon trupa dhe armë në mbështetje të separatistëve në lindje të Ukrainës, akuzë që Rusia e mohon.

Si presion mbi Moskën, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja gjatë vitit të kaluar vendosën sanksione, të cilat kanë dëmtuar ekonominë ruse dhe kanë tensionuar më tej marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin.

Zonja Mogherini theksoi se përpjekjet e BE-së për të sjellë paqe në Ukrainë duhet të shoqërohen me një zgjidhje afatgjatë për të stabilizuar vendin.

Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, që mori pjesë në takimin në Rigë, tha se vendi i tij po shqyrton llojet e pajisjeve që mund të japë për të ndihmuar në monitorimin e armëpushimit nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.

``Po diskutojmë në Gjermani me të gjitha ministritë, veçanërisht me atë të mbrojtjes se me çfarë mjetesh mund ta pajisim OSBE-në. Gjithashtu ne jemi një nga shtetet që me rritjen e përgjegjësive të OSBE-së kemi dhënë mbështetje financiare shtesë, ashtu siç duhet të bëjnë edhe vendet e tjera anëtare”, tha zoti Steinmeier.

Ministri i jashtëm britanik Philip Hammond tha sot në Varshavë se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për sanksione të reja që mund të vendosen shpejt në se marrëveshja e Minskut dështon.

Takimi i Rigës vjen ndërsa Rusia tha se ka filluar manovra ushtarake në shkallë të gjerë në jug të vendit dhe në territoret e debatueshme në kufi me Rusinë. Në manovra përfshihen mbi 2 mijë trupa.

XS
SM
MD
LG