Lidhje

Kerry: Bisedimet me Iranin rifillojnë të dielën


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se ai do të rifillojë bisedimet me homologun e tij iranian Javad Zarif në lidhje me programin bërthamor të Iranit nesër në Zvicër. Ndërsa duke folur sot në Sharm el Sheikh në një konferencën mbi investimet në Egjipt, tha se letra e 47 republikanëve për udhëheqësit iranianë rreth programit bërthamor nuk ishte e drejtë dhe mund të dëmtojë negociatat bërthamore me Iranin.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se letra e cila paralajmëron Iranin se presidenti i ardhshëm amerikan në çdo kohë do të mund ta revokonte një marrëveshje bërthamore me Teheranin, dhe se Kongresi gjithashtu mund të bëjë ndryshime në marrëveshje mund të dëmtojë bisedimet bërthamore me Iranin.

"Kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në negociatat e pushtetit ekzekutiv. Nuk ka precedent për këtë dhe është pothuajse e pashmangshme se ky veprim do të ngrejë dyshime në mendjet e njerëzve me të cilët ne jemi duke negociuar mbi çështjen se më kë po negociojnë ata, me pushtetin ekzekutiv dhe presidentin, që është e bazuar në kushtetutë, apo me 535 anëtarët e Kongresit", tha Sekretari Kerry.

Diplomati i lartë amerikan tha se negociatat me Iranin do të vazhdojnë dhe se pavarësisht një përparimi të vogël, mosmarrëveshjet e rëndësishme mbeten.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania, kanë afat deri në fund të marsit për të arritur një marrëveshje paraprake me Iranin për të ndërprerë programin e tij të pasurimit të uraniumit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve që kanë dëmtuar rëndë ekonominë e iraniane.

XS
SM
MD
LG