Lidhje

Takimi ndërparlamentar BE-Shqipëri


Në Tiranë nis takimi i tetë mes delegacioneve të parlamentit shqiptar dhe atij europian. Diskutohen 5 prioritetet kyce. Debate mes shumicës dhe opozitës

Në Tiranë nisi sot takimi i tetë i komisionit ndërparlamentar të Asocim-Stabilizimit Shqipëri-BE, i cili do të diskutojë rreth ecurisë së vendit në përmbushjen e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Brukseli si dhe zhvillimet e fundit politike

Takimi nisi me një raportim të shkurtër të katër ministrave shqiptarë, por u shoqërua me polemika nga ana e opozitës e cila kundërshtoi procedurën e ndjekur. Ndërsa më pas, përfaqësuesit e saj, folën për mungesë hapash konkretë dhe shkelje të afateve që vetë qeveria ka parashikuar lidhur me 5 prioritetet të cilat kanë të bëjnë me reformën në administratën publike, forcimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në takim pritet të diskutohet edhe lidhur me marrëveshjen e arritur dhjetorin e kaluar mes shumicës dhe opozitës i cili në thelb ka procesin e dekriminalizimit të parlamentit dhe institucioneve. Një cështje e rikthyer me forcë në qendër të vëmendjes pas deklarimeve të deputetit Tom Doshi, për ekzistencën, sipas tij, të një plani për të vrarë atë dhe deputetin demokrat Mhill Fufi. Zoti Doshi akuzoi kryetarin e parlamentit Ilir Meta se qëndronte pas një plani të tillë. Deklarimet e tij rindezën tensionin politik mes shumicës dhe opozitës shqiptare, e cila kërkon dorëheqjen e zotit Meta.

Takimi i sotëm ndërparlamentar mes deputetëve shqiptarë dhe të parlamentit europian, paraprin takimin e Dialogut të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe komisionit europian i parashikuar për javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG