Lidhje

Rehabilitimi fizik me ndihmën e një roboti


Punonjësit e terapisë fizike kanë një larmi mjetesh për të ndihmuar pacientët me dëmtime neurologjike ose ortopedike që të rimarrin kontrollin e muskujve. Ata përdorin topa dhe tavolina për përmirësimin e balancës, llastiqe për të rritur forcën, dhe një numër ushtrimesh fizike për të ndihmuar rehabilitimin. Tani, një robot mund të ndihmojë terapistët me ushtrimet e pacientëve të tyre duke ndihmuar lëvizjen dhe monitorimin impulseve nervore në muskujt e tyre.

Rifitimi i forcës dhe fleksibilitetit pas një dëmtimi shpesh kërkon trajtim me terapi fizike. Trajtimi i muskujve të atrofizuar është një pjesë e rëndësishme e procesit të rehabilitimit. Kompania polake Egzotech ka ndërtuar një robot, të quajtur Luna, për t'i bërë të ndërveprueshme këto ushtrime, duke u dhënë terapistëve informacion për ecurinë e pacientëve.

Luna përdor elektromiografinë për të identifikuar valët elektrike ndërkohë që pacientët lëvizin krahët ose këmbët. Presidenti i kompanisë Egzotech, Michal Mikulski thotë se zbulimi i pikave të tensionit në muskuj që nuk mund të shihen me sy të lirë mund të ndihmojë terapistët të përsosin regjimin e ushtrimeve.

"Ne arrijmë në një fazë të caktuar të zhvillimit të sëmundjes kur tensioni i muskujve nuk është i dukshëm. Por këto sinjale mund të shihen në makinat tona, Luna është në gjendje t’i diktojë ato. Dhe në bazë të kësaj, kur truri i dërgon një sinjal muskulit që të lakohet, edhe pse ne nuk e shohim, Luna është në gjendje ta diktojë atë. Ajo zbulon këto sinjale dhe shkakton lëvizjen e gjymtyrëve, sikur ky proces të ishte kryer natyrshëm".

Luna mund ta bëjë terapinë më interesante për fëmijët, të cilët shpesh mërziten me lëvizjet e përsëritura. Kjo u lejon atyre të luajnë lojëra pa e ditur se janë duke ushtruar muskujt.

"Mund të jetë një fluturim me sondë, gjuajtje me top, apo fluturim me një dragua. Në çdo rast, fëmijët dëshirojnë të fitojnë lojën, dëshirojnë të konkurrojnë, por në të vërtetë ata janë duke ushtruar".

Edhe pse Luna është vetëm një prototip, kompania Egzotech pret që gjatë këtij viti ta hedhë në treg robotin.

XS
SM
MD
LG