Lidhje

Bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se arritja e një marrëveshje me Iranin mbi programin e tij bërthamor është thelbësore, dhe se negociatorët "nuk duan thjeshtë vetëm arritjen e një marrëveshje". Ai sot u tha gazetarëve në Lozanë të Zvicrës se ende ka një hendek të rëndësishëm mes palëve mbi arritjen e një marrëveshjeje, dhe tha se vendimet themelore duhet të merren tani. Ndërkohë Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se arritja e një marrëveshje me fuqitë perëndimore mbi programin e tij bërthamor është e mundur.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry para se të nisej për në Londër për diskutime me grupin P5 plus 1, tha se pavarësisht përparimit të bërë, ende vazhdon të ketë një hendek mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në bisedimet mbi programin bërthamore të Teheranit. Ai tha se tani duhet të merren disa vendime themelore dhe theksoi se fuqitë botërore dhe Irani kanë një mundësi tani për të arritur një zgjidhje diplomatike të kësaj çështjeje. Zoti Kerry tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se duhet të arrihet një marrëveshje e mirë.

"Ne nuk duam thjesht të arrijmë një marrëveshje. Nëse ne do ta dëshironim një gjë të tillë, ne mund të kishim bërë një njoftim shumë kohë më parë. Dhe është e qartë se që kur është rënë dakord për planin e përbashkët të veprimit, ne nuk kemi nxituar. Ky ka qenë një proces mbi dy vjet e gjysmë i gjatë, por ne mendojmë se vendimet themelore duhet të merren tani dhe marrja e këtyre vendimeve nuk do lehtësohet me kalimin e kohës. Ka ardhur koha për të marrë vendime të vështira. Ne duam një marrëveshje të drejtë që do ta bënte botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë më të sigurt dhe ky është testi ynë".


Ndërkohë sot më herët, Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se arritja e një marrëveshje me fuqitë botërore mbi programin bërthamor të Teheranit është e mundur. Duke pranuar se ende ka dallime në negocatat e Iranit me Perëndimin, zoti Rohani tha se "nuk ka asgjë që nuk mund të zgjidhet." Presidenti Rouhani në një fjalim televiziv me rastin e Ditës së Nevruzit, Vitit të Ri persian, kritikoi ata të cilët po kërcënojnë Iranin me sanksione.

"Vendet Botërore dhe fuqitë e mëdha duhet ta kuptojnë se kërcënimet dhe sanksionet nuk janë të efektshme dhe se qasja e duhur është tregimi i mirëkuptimit, arritja e një marrëveshje dhe respekti ndaj kombit iranian. Ne kemi stabilizuar të drejtat bërthamore të këtij vendi. Ne u kemi rezistuar sanksioneve dhe ky vend do të jetë i suksesshëm në arritjen e qëllimeve të tij të larta".

Irani dhe vendet e grupit P5 plus 1, Britania, Kina, Franca, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë afat deri më 31 mars për arritjen e një marrëveshje kornizë. Bisedimet pritet të rifillojnë javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG