Lidhje

Shqyrtohet kërkesa për arrestimin e dy deputetëve


Tiranë, Këshilli për Mandatet në parlamentit shqiptar dëgjon deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme

Në Tiranë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në parlamentin shqiptar u mblodh sot pasdite për të marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur një ditë më parë ngë Prokuroria e Përgjithshme për t’i dhënë asaj autorizimin për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku

Kërkesa ndaj dy përfaqësuesve të parlamentit shqiptar pasoi hetimet e nisura pas deklarimeve publike të zotit Doshi se ndaj tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi, kishte patur një plan për vrasje dhe se pas këtij skenari qëndronte kryetari i parlamentit Ilir Meta.

Prokuroria e cila zhvilloi për më shumë se dy javë hetime intensive, deklaroi dje se “nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për org anizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentative”, dhe se “në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami”.

Durim Bami është personi i cili sipas deputetit Doshi ishte ngarkuar për të kryer vrasjen, por përpara prokurorëve ai e ka mohuar këtë. Nga ana tjetër, deputeti Frroku gjendet nën akuzë pasi megjithë njohjen me Durim Bamin ai e ka mohuar këtë si dhe faktin që të kishte dijeni për një plan të mundshëm për vrasjen e zotit Doshi.

Dy deputetët janë të dyshuar, sipas prokurorisë, "për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit".

Gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, të dy deputetët për të cilët është kërkuar arrestimi, kanë dhënë shpjegimet e tyre. Deputeti Frroku ka depozitar me shkrim qëndrimin dhe pozicionin e tij ndaj kërkesës së prokurorisë, dhe ka qëndruar vetëm pak minuta. Ndërkohë që deputeti Doshi, ashtu sic edhe deklaroi pas largimit nga mbledhje, vlerëson se sipas tij bëhet fjalë për një “qëndrim politik” të prokurorisë. Zoti Doshi tha se akuzat e ngritura ndaj tij nuk qëndrojnë. “Unë akuzohem për "kallzim të rremë", ndërkohë që nuk kam bërë asnjë kallzim, pasi hetimi ka nisur me nismën e vetë prokurorisë. Akuzohem dhe për kanosje, ndërkohë që nuk shpjegohet se cilin kam kërcënuar”, u shpreh zoti Doshi, sipas të cilit “ngjarjet rrodhën në këtë mënyrë për shkak të Prokurorit të Përgjithshëm, i cili ka qenë në dijeni të ngjarjes që më 5 shtatorin e kaluar, por nuk bëri asgjë”.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet pritet të hartojë një raport mbi kërkesën e prokurorisë, dhe do të jetë parlamenti ai që do të duhet të votojë. Ka shumë mundësi që parlamnti të mblidhet në një seancë të posacme vetëm për të votuar kërkesën për arrestim, ditën e hënë.

Veprimi i prokurorisë u mbështet të premten nga ambasada amerikane në Tiranë. Ndërsa opozita edhe sot e cilësoi të pabesueshëm procesin, përsa kohë kryetari i parlamentit Meta, sipas saj, nuk dha dorëheqjen nga posti. Opozita organizoi një tjetër protestë në Durrës, duke kërkuar largimin edhe të kryeministrit Rama. Megjithatë ajo do të votojë pro kërkesës për arrestim, ndonëse sic u shpreh sot para mbledhjes së Këshillit, anëtari demokrat Eduard Halimi e gjitha “është një përpjekje për të mbyllur një orë e më parë cështjen ndaj kryetarit të parlamentit”.

XS
SM
MD
LG