Lidhje

Autoritetet: Piloti gjerman mund ta ketë rrëzuar me dashje avionin


Prokurori i Marsejës, Brice Robin
Prokurori i Marsejës, Brice Robin

Në Francë, prokurori i Marsejës tha se piloti i dytë i avionit të rrëzuar në alpet franceze, ku humbën jetën 150 persona, duket se e ka rrëzuar me dashje avionin e kompanisë Germanwings. Zyrtarët thanë ndërkohë se Andreas Lubitz nuk ishte i njohur si terrorist. Ekspertët vazhdojnë të studiojnë regjistrimet zanore nga kutia e zezë e avionit A320.

Gjermani 28-vjeçar Andreas Lubitz, i cili u ndodh i vetëm në kabinë, pasi piloti kryesor kishte dalë prej saj, refuzoi të hapte derën dhe qëllimisht e drejtoi avionin drejt rënies, thanë prokurorët në një konferencë shtypi.

"Zakonisht, kur dikush bën vetvrasje është i vetëm. Unë nuk përdora fjalën vetvrasje. Kur je përgjegjës për jetën e 150 njerëzve prapa teje, unë jo domosdo e quaj këtë vetvrasje," tha prokurori i Marsejës, Brice Robin.

Zyrtarët thanë se Lubitz nuk ishte i njohur si terrorist dhe nuk ka arsye për ta cilësuar rrëzimin si ngjarje terroriste.

Ministri i brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere tha se ditën e ngjarjes autoritetet kontrolluan bazën e të dhënave të zbulimit dhe të policisë.

"Nuk mund të them më shumë për personin e identifikuar si piloti i dytë, apo për udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit. Por ne kemi kontrolluar për secilin lidhur me shqetësimet për terrorizëm apo të sigurisë dhe rezultatat kanë qenë negative," tha ministri.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Lufthansa Carsten Spohr, tha në një konferencë shtypi se piloti i dytë i kishte të gjitha kualifikimet teknike për të drejtuar një avion.

"Ka patur një shkëputje të gjatë në stërvitjen e tij përpara 6 vjetësh. Por pas kësaj, kulifikimet e tij janë kontrolluar përsëri dhe ai e kishte rifilluar stërvitjen. Pas kësaj, ai i kalioi të gjitha testet mjekësore dhe të fluturimit dhe ishte 100 përqind i aftë për të fluturuar, pa ndonjë kufizim," tha zoti Spohr.

Nga regjistrimet e kutisë së zezë del se pak përpara çasteve të fundit të rënies, udhëtarët filluan të bërtasin.

Deklaratat e prokurorëve erdhën pas njoftimeve të gazetës New York Times, se nga regjistrimet e kutisë së zezë dilte që njëri nga pilotët ishte larguar nga kabina dhe nuk mundi të hyjë dot përsëri, përpara se avioni të rrëzohej.

Ekspertët vazhdojnë të studiojnë regjistrimet zanore ndërkohë që në vendin e ngjarjes vazhdojnë kërkimet për kutinë e dytë.

Nga regjistrimet nuk del e qartë se përse piloti kryesor doli nga kabina dhe përse ai nuk mundi të hynte dot përsëri.

Piloti kryesor kishte mbi 6,000 orë përvojë fluturimi ndërsa piloti i dytë vetëm 630 orë. Ai fluturonte për Germanwings që nga shtatori 2013.

Sipas ligjit të aviacionit gjerman, pilotët mund të dalin nga kabina përkohësisht në kohë dhe rrethana të caktuara, për shembull kur aeroplani fluturon me shpejtësi dhe drejtim të pandryshuar.

Lufthansa thotë se dyert e kabinës mund të hapen nga jashtë me një kod, në bazë të rregullave që u vunë në funksionim pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA. Por sistemi i kodit mund të bllokohet nga brenda.

Përveç shtetasve gjermanë dhe spanjollë, në avion kishte 3 amerikanë, një maroken, si dhe shtetas të Britanisë, Argjentinës, Australisë, Belgjikës, Kolumbisë, Danimarkës, Izraelit, Japonisë, Meksikës, Iranit dhe Holandës. Por, sipas zyrtarëve francezë, provat e ADN-së për identifikimin e tyre mund të kërkojnë javë.

XS
SM
MD
LG