Lidhje

SHBA, Rusia dhe Irani


Një zyrtar ushtarak amerikan e përshkruan sistemin e mbrojtjes ajrore S-300 si "shumë të aftë", duke shtuar se do të ishte një përmirësim i rëndësishëm në krahasim me atë që Irani ka tani.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi Josh Earnest e bëri të qartë pakënaqësinë e Uashingtonit.

"Mund të thuhet se Rusia e kupton që Shtetet e Bashkuara e marrin me shumë seriozitet sigurinë e aleatëve tanë në rajon".

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry përcolli këtë mesazh në një bisedë me homologun e tij rus, i cili mbrojti vendimin e Moskës.

"Dua të theksoj se sistemi anti-raketë S-300 është tërësisht i natyrës mbrojtëse, ai nuk është projektuar për të sulmuar dhe nuk do të kërcënojë sigurinë e asnjë rajoni".

Rusia për herë të parë i ofroi Iranit sistemin e mbrojtjes ajrore S-300 në vitin 2010 por u tërhoq pas trysnisë nga Perëndimi.

Zyrtarët amerikanë thonë se ndryshimi i qëndrimit nga Rusia nuk duket se është një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nuk do të ndikonte në përpjekjet për të arritur një marrëveshje bërthamore përfundimtare me Teheranin.

Por, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Marie Harf tha se kjo megjithatë nuk është një ide e mirë:

"Duke patur parasysh veprimet destabilizuese të Iranit në rajon, në vendet si Jemeni, Siria apo Libani, kjo nuk është koha për t’i shitur Teheranit lloje të tilla armësh".

Brian Katulis i Qendrës për Përparimin Amerikan paralajmëron se ky hap mund të ketë një efekt domino.

"Për mua çdo veprim i këtij lloji do të shkaktojë reagime nga vendet e Gjirit, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahraini, Katari dhe vende të tjera”.

Një zyrtar ushtarak amerikan thotë se nuk ka të ngjarë që Irani të ndajë sistemin e raketave S-300 me ndonjë nga vendet e rajonit që ai mbështet.

Megjithatë, analistët theksojnë se aftësia e sistemit S-300 për të goditur objektiva të shumta në lartësi të mëdha, krijon mundësinë e përdorimit të tij si armë sulmuese dhe, të paktën, mund të "komplikojë sulmet ajrore" kundër objekteve bërthamore të Iranit.

XS
SM
MD
LG