Një numër zyrtarësh perëndimorë, përfshirë Sekretarin e Shtetit, John Kerry, kanë shprehur shqetësimin për përpjekje të pahasura më parë të Rusisë për të shpërndarë keqinformim në të gjithë zonën e ish-Bashkimit Sovjetik, si dhe në pjesën më të madhe të Evropës. Në një panel të Kongresit në Uashington, ekspertët e quajtën operacionin masiv mediatik të Rusisë “një përdorim të informacion si armë”.
Qëllimi kryesor i dizinformimit është të shpërqëndrojë vëmendjen nga ajo ç’po ndodh në të vërtetë në Ukrainë, dhe asaj që i parapriu në Krime.
Ky ishte mesazhi i Elizabeth Wahl, ish-spikere në Russia Today, e cila u dorëhoq vitin e kaluar në shenjë prosteste gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
“Prapa retorikës qëllimisht të rrëmujshme fshihej fakti kryesor: Rusia kishte pushtuar një vend sovran dhe po gënjente për këtë gjë.”
Presidenti rus Vladimir Putin hedh poshtë çdo aludim për gënjeshtra. Ai ia hedh fajin SHBA-së dhe NATO-s për rrëzimin e avionit malajzian në Ukrainë dhe për vazhdimin e luftimeve atje.
Zoti Putin ka angazhuar 600 milionë dollarë në vit për të konsoliduar pushtetin e tij brenda vendit dhe për të mbjellë përçarje në shoqëritë e vendeve të tjera, shprehet kryetari i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Ed Royce.
“Kjo propagandë ruse ka potencialin të destabilizojë vendet anëtare të NATO-s, dhe mund të dëmtojë angazhimet tona në fushën e sigurisë, në veçanti nëse shohim se ç’po ndodh në disa vende balltike.”
Fushata propagandistike për të deformuar realitetin në Ukrainë ka domethënie nga perspektiva ruse, thotë Peter Pomerantsev, i Institutit “Legatum”.
“Pra, NATO është e pamposhtur në fushëbetejë. Perëndimi ka një sistem shumë më të fortë shoqëror dhe politik, me demokraci të bazuar në konkurencë dhe transparencë. Po sikur Kremlini ta anashkalojë NATO-n ushtarakisht, të zhvillojë luftë pa shkrepur as edhe një fishek zyrtarisht? Sikur të përdorte kundër nesh çiltërsinë e demokracisë, tregun dhe kulturën e hapur, dhe mbi të gjitha, informacionin e hapur?”
Disa ligjvënës dhe ekspertë në seancën dëgjimore bënë thirrje që SHBA të bëjnë më shumë për të përballuar propagandën ruse.
“Shtetet e Bashkuara po mundohen të riorganizojnë strategjinë e komunikimit për t’u përballur me këtë gjë. Sidoqoftë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ne pak a shumë e çarmatosëm veten në këtë betejë për të fituar zemrat dhe mendjet në Rusi dhe në vendet e saj fqinje në Evropë. Patëm menduar se e fituam luftën ideologjike dhe se nuk na duhej më të përqëndroheshim në sistemet e informacionit si më parë,” thotë Helle Dalle, e Fondacionit “Heritage”.
Andre Mendes, drejtuesi ekzekutiv në detyrë i Bordit të Guvernatorëve të Transmetimeve, që mbikqyr edhe Zërin e Amerikës, u shpreh se përpjekjet rishtazi të bordit për të rritur transmetimet në gjuhën ruse nuk morën vëmendjen e duhur gjatë seancës dëgjimore.
“Bordi ka të njëjtin shqetësim me komisionin e marrëdhënieve me jashtë për sa i përket intensifikimit të propagandës ruse, dhe është duke u kundërpërgjigjur me një fushatë multimediale inovative, fleksibël dhe agresive me fokus Rusinë dhe rusisht-folësit, si në ish-Bashkimin Sovjetik, ashtu edhe në Evropë dhe gjetiu nëpër botë.”
Kryetari i komisionit, zoti Royce, tha se do të propozojë legjislacion të ri për të reformuar sistemin e transmetimeve të Shteteve të Bashkuara. Drejtori në largim i Zërit të Amerikës, David Ensor, ka bërë thirrje që Karta e Zërit të Amerikës që përcakton paanshmërinë, objektivitetin dhe raportimin e saktë, duhet mbrojtur gjatë çdo lloj reforme që do të ndërmerret.