Lidhje

Italia përballë eksodit nga Afrika e Veriut


Në brigjet jugore italiane, çdo ditë sjell një valë të re imigrantësh dhe histori të tjera të tmerrshme vuajtjesh. Roja bregdetare italiane shpëtoi të premten 70 njerëz nga një gomone pranë ishullit Lampedusa. Shumë prej tyre, përfshirë edhe fëmijë, vuanin nga djegie të renda, Barbara Moinario punon për Kombet e Bashkuara:

“Ata na thanë se ndodheshin në një pikë ku trafikantët grumbullojnë imigrantët dhe refugjatët para se t’i nisin me anije, një bombol gazi shpërtheu, duke lënë disa të vdekur dhe duke plagosur shumë të tjerë. Trafikantët nuk i lejuan të shkonin në spital dhe ata nuk u mjekuan për ditë me radhë; pastaj i vendosën nëpër gomone.”

Në Palermo, policia arrestoi 15 imigrantë pas prentendimeve se disa azil kërkues të krishterë ishin hedhur në det nga një grup burrash myslimanë.

Prurjet e imigrantëve vazhdojnë, me rreth 13 mijë njerëz në javë. Autoritetet thonë se janë të tronditur. Giovanni Muraca është me këshillin e Reggio di Calabrias.

“U kemi ofruar strehë shumë emigrantëve por asnjëherë nuk kanë ardhur kaq shumë vetë me sëmundje infektive. Duhet t’i mbanim këtu për trajtim para se të kalonin në hapin tjetër.”

Gjatë javës së kaluar mendohet se janë mbytur më shumë se 450 imigrantë. Grupe në mbështetje të imigrantëve thonë se rreziqet e vdekjes janë rritur 50 herë, krahasuar me vitin e kaluar. Roma ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian. Ministri i Jashtëm italian fajësoi kaosin në Libi për eksodin e refugjatëve dhe tha se mund të nevojiten veprime dramatike, përfshirë sulme ajrore kundër grupeve terroriste në Libi. Paolo Gentilioni është Ministër i Jashtëm i Italisë:

“Duhet trajtuar kjo emergjencë jo si një vend i vetëm, por si bllok.”

Komisioneri për Emigracioni në Bashkimin Evropian, Dmitris Avramopoulos, thotë se po bëhen përparime:

“Deri në fund të majit, Evropa do të ketë për herë të parë një politikë të plotë mbi emigracionin.”

Kjo nuk mjafton, thotë Gauri Van Gulik me grupin “Amnesty International”:

“Nevojiten përpjekje shumëkombëshe të kombinuara, që patrullojnë detin dhe zonat ku po mbyten njerëzit. Kjo nuk po ndodh. Përpjekjet duhet të përqendrohen në operacionet e kërkim shpëtimit me anije dhe pajisje të posaçme.”

Ata që mbijetojnë shpesh shohin që endërra e tyre për një jetë të re është e shkatërruar. Në Greqi, vendi i parë i mbërritjes së emigrantëve nga Turqia, kushtet në qendrat e paraburgimit janë të tmerrshme. Athina thotë se nuk ka më para, ndaj po i le emigrantët të lirë. Tasia Christodoulopoulou është Ministre për Imigracionin në Greqi:

“Njerëzit në këto qendra jetonin në kushte barbare, të papërshkrueshme, sepse në to nuk përmbusheshin nevojat bazë. Shumica e tyre mbaheshin atje në mënyrë të paligjshme.”

Grupe për të drejtat e emigrantëve paralajmërojnë se shtimi i numrit të emigratëve në Greqi dhe Itali po krijon tensione nacionaliste kundër tyre. Ndërsa në bregdet, gomonet e shkatërruara vazhdojnë të sjellin mijëra emigrantë çdo ditë.

XS
SM
MD
LG