Lidhje

Turqi, 100 vjetori i betejës së Gallipolit


Më 24 prill, Turqia përkujton 100 vjetorin e betejës së Galipolit në Luftën e Parë Botërore, kur turqit otomanë mposhtën një forcë pushtuese të udhëhequr nga britanikët. Në të njëjtën ditë, armenët në mbarë botën do të shënojnë 100 vjetorin e vrasjeve masive, një ngjarje që armenët e përshkruajnë si gjenocid të otomanëve ndaj tyre. Këto ngjarje historike janë përmbledhur në një libër me kujtime të një oficeri armen të ushtrisë turke, Kapitenit Sarkis Torossian. Por libri ka shkaktuar polemika në Turqi.

Historia e kapitenit Torossian trajton shumë çështje tabu dhe kapituj të errët të historisë otomane. Edhe pse ai ishte një oficer i dekoruar i ushtrisë osmane, ky fakt nuk e shpëtoi nënën dhe motrat e tij, që u vranë gjatë deportimit masiv të armenëve nga ana e sunduesve otomanë: një deportim masiv që atëherë është cilësuar si një gjenocid, por që Ankaraja e mohon fuqishëm.

Pjesa më e debatueshme e historisë së tij, sipas profesorit Ayhan Aktar të Universitetit Bilgi të Stambollit, është se Torossian ka luftuar në betejën vendimtare të Galipolit në Luftën e Parë Botërore. Ai thotë se historia e kapitenit Torossian është në kundërshtim me versionin zyrtar të ngjarjeve, sipas të cilit vetëm turqit luftuan në Betejën e Galipolit si dhe interpretimin më të fundit islamik të betejës.

"Kur formohet një republikë turke e bazuar në nacionalizmin etnik, historia rishkruhet. Në 15 vitet e fundi ka filluar të shkruhet një version islamik i historisë. Ata kanë filluar të flasin për shenjtorë që vijnë nga qielli për të mbrojtur ushtrinë e lavdishme islamike, kundër të pafeve. Në të dy këto versione të historisë, kapiteni Torossian është person i padëshiruar, ai nuk ka ndonjë vend në asnjërën prej tyre, ai nuk është turk për të qenë pjesë e historisë turke dhe nuk është mysliman. Ai është i krishterë dhe rrjedhimisht nuk i përshtatet versionit islamik të historisë".

Profesor Aktar thotë se rëndësia e historisë së kapiterin Torossian është arsyeja pse botuesit u bindën ta botonin atë në Turqi. Ndërsa Aktar thotë se ai është i vetëdijshëm se libri është i debatueshëm, ai është i habitur nga aleanca e nacionalistëve turq laikë, islamistëve dhe madje edhe e ushtrisë turke në sulmet kundër këtij libri.

Presidenti turk Erdogan pranoi vërtetësinë e historisë, duke e cituar atë në një komunikatë dërguar homologut të tij armen Serzh Sargsyan në një përpjekje për ta bindur atë që të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për Betejën e Galipolit. Oferta u refuzua. Profesor Aktar thotë se polemika mbi librin ka krijuar një atmosferë shqetësuese për pakicën e vogël armene të Turqisë.

"Një mik Armen në Facebook më ka shkruar një mesazh ku thoshte se gjyshi i tij Hacik Beu ishte plagosur në Betejën e Galipolit. E pyeta atë nëse mund ta përdor këtë histori, ai ra dakord por mu lut që të mos publikoja emrin e tij. Kjo rritje e shpejtë e nacionalizmit kundër një oficeri armen i cili luftoi në ushtri ka krijuar një lloj ndjenje ankthi mbi një qytetar të zakonshëm turko-armenas, i cili ende është i ndikuar nga trauma e gjenocidit dhe unë kurrë nuk e fal këtë".

Profesor Aktar thotë se debati ka hapur derën për nxjerrjen në dritë të historive të tjera të oficerëve armenë që kanë luftuar në Gallipoli.

"Ky debat mbi kapitenin Torossian ka nxitur edhe një shtim të shpejtë të studimeve, për të mësuar se kush ishin këta oficerë të Ushtrisë Osmane. Në fakt, unë jam shumë krenar për këtë. Ndërsa ne jemi duke përkujtuar një betejë, rezistencë apo heroizëm, ne kurrë nuk duhet t’i harrojmë ata që luftojnë për ne. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne duhet t’i kushtojmë respektin e duhur".

Roli dhe madje edhe prania e oficerëve armenë në radhët e ushtrisë otomane në betejën e Galipolit mbetet e debatueshme. Por, vëzhguesit thonë se debati mbi kapitenin Torossian dhe botimi i historive të ngjashme do të thotë se një tjetër tabu historike në Turqi është sfiduar dhe është duke u diskutuar.

XS
SM
MD
LG