Lidhje

Obama vlerëson komunitetin e zbulimit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i tha komunitetit të zbulimit amerikan se ai vlerëson punën e tyre dhe se e kupton që nuk e marrin lehtë detyrën që bëjnë. Presidenti u takua me përfaqësues të shërbimeve amerikane të zbulimit dy ditë pasi presidenti shprehu keqardhje për vrasjen e dy pengjeve civile, ndër të cilët një amerikan, gjatë një sulmi kundër një baze të al-Qaidës.

Presidenti Obama foli me punonjës të Zyrës së Drejtorit të Zbulimit Kombëtar një ditë pas lajmit se një sulm amerikan me avionë pa pilot pati vrarë në muajin janar dy pengje të mbajtur nga ekstremistë të Al-Kaidës, shtetasin italian Giovanni Lo Porto dhe atë amerikan Dr. Warren Weinstein.

“Të gjithë vuajmë kur humbasim një jetë amerikane. Të gjithë mbajmë zi kur merret një jetë e pafajshme.”

Zoti Weinstein, punonjës për një organizatë humanitare në Pakistan, ishte marrë peng në vitin 2011.

Zoti Obama premtoi të rishikojë mënyrën se si Shtetet e Bashkuara mbledhin dhe analizojnë të dhënat e zbulimit.

“Ky vetëreflektim, ky vullnet për të ekzaminuar veten, për të bërë korrigjime, për t’u përmirësuar – këto janë pjesë e asaj çka na bën të jemi amerikanë. Është diçka që na dallon nga kombe të tjera. Është diçka që jo vetëm na mban të sigurtë, por edhe më të fortë dhe të lirë.”

Zyrtarët thonë se megjithëse punonjësit e zbulimit punuan për qindra orë për të grumbulluar dhe analizuar të dhënat mbi objektin e sulmuar, para ndërmarrjes së veprimeve, Shtetet e Bashkuara nuk ishin në dijeni se në atë objekt mbaheshin dy pengje.

Presidenti thotë se ai është i vetëdijshëm që komuniteti amerikan i zbulimit ka të njëjtën “vendosmëri për të parandaluar humbjen e jetëve të pafajshme”.

XS
SM
MD
LG