Lidhje

Hillary Clinton dhe republikanët


Kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton ishte në shtetin New Hampshire këtë javë, e dyta shfaqje e saj publike që kur shpalli kandidaturën. Korrespondenti Jim Malone njofton nga Uashingtoni se zonja Clinton është nën zjarrin e një grupi republikanësh që synojnë Shtëpinë e Bardhë për vitin 2016.

Hillary Clinton synonte të tregonte aftësitë e saj si gjyshe kur u takua me një grup të vogël votuesish në New Hampshire.

Gjatë një diskutimi në një kolegj komunitar në Concord, zonja Clinton ruajti fokusin e saj në çështjet ekonomike.

“Duhet t’i shtojmë prestigj punës që do të duhet të bëjmë në Amerikë, dhe kjo do jetë një sfidë. Jam e ndërgjegjshme për këtë gjë, por mendoj se është një sfidë që ia vlen.”

Zonja Clinton vazhdon të jetë një favorite e fortë për të marrë nominimin e partisë së saj. Por sfida e saj do të jetë fakti që po përpiqet të pasojë demokratin Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, në një kohë kur votuesit dëshirojnë ndryshimin, thotë analisti Charlie Cook.

“Në një kohë kur njerëzit janë tepër të pakënaqur me Uashingtonin dhe me status quo-në, asaj i duhet të shndërrohet në një kandidate anti-Uashington, anti-status quo, dhe zgjedhjet presidenciale përgjithësisht tentojnë të përqëndrohen tek e ardhmja.”

Zonja Clinton është bërë një shënjestër e preferuar për republikanët me ambicie presidenciale, përfshirë senatorin e shtetit Kentucky, Rand Paul.

Zoti Paul vazhdon të vërë në dyshim menaxhimin e politikës së jashtme nga zonja Clinton, në veçanti për sa i përket sulmit terrorist të vitit 2012 ndaj një misioni diplomatik amerikan në Benghazi të Libisë, në kohën kur ajo ishte sekretare shteti.

“Mendoj se braktisja e detyrës prej saj, fakti që ajo nuk bëri punën e saj, nuk ofroi sigurinë për forcat tona, misionet tona diplomatike, duhet ta ndalojë atë përgjithnjë të marrë sërish një detyrë të lartë publike.”

Zoti Paul është vetëm njëri prej 19 aspirantëve republikanë për Shtëpinë e Bardhë, të cilët u mblodhën së fundmi në një takim në New Hampshire, ku ishte edhe guvernatori i Floridas, Jeb Bush.

Zoti Bush ka një avantazh të vogël sipas sondazheve, dhe kjo i ka inkurajuar edhe republikanë të tjerë të dëshirojnë të garojnë për president, si guvernatori i Ohios, John Kasich.

“Në këto kohëra, na duhet një Amerikë e fortë që do t’i dërgojë një mesazh armiqve tanë, me forcën e duhur që tregon se Amerika është rikthyer!”

Një fushë e gjerë beteje pa një kandidat që kryeson dukshëm, mund të krijojë një luftë të gjatë përçarëse për republikanët, thotë analisti Scot Faulkner.

“Nuk shoh ende dikë që të jetë ngritur në atë nivel që t’i bëjë njerëzit të ndalojnë dhe të thonë se me të vërtetë po thuhet diçka për atë ç’ka Amerika mund të jetë, apo mund të bëhet.”

Në javët në vazhdim priten të tjera shpallje kandidaturash presidenciale.

XS
SM
MD
LG