Lidhje

Situata në Baltimore


Policia në qytetin Baltimore kreu disa arrestime në orët e vona pak minuta pasi hyri në fuqi ndalim-qarkullimi. Arrestimet ndodhën pranë ndërtesës së bashkisë në vijim të njoftimit se gjashtë oficerë policie do të akuzoheshin për vrasjen e Freddi Gray, një afrikano-amerikan që humbi jetën pas thyerjes së shtyllës kurrizore gjatë arrestimit nga policia. Njoftimi për akuzat u bë nga prokurorja e shtetit, 35-vjeçarja Marylin Mosby, e cila u zgjodh në këtë detyrë vetëm katër muaj më parë.

Qyteti i Baltimorës përjetoi një atmosferë disi më të çliruar dhe festive deri në orët e vona të mbrëmjes, pasi banorët mësuan vendimin e zyrës së prokurorët. Dje paradite njerëzit e grumbulluar e pritën në mënyrë festive hipjen në podium të prokurores Marylin Mosby, e cila njoftoi për akuzat e ngritura ndaj gjashtë policëve të përfshirë në arrestimin e Freddy Gray.

“Mënyra se si vdiq tregon se ishte një vrasje pa paramendim. Mendojmë se erdhi si pasojë e një plagosjeje fatale që ndodhi kur zoti Gray ishte pa rrip sigurimi në furgonin e policisë”.

Ishte një konkluzion i shpejtë dhe shokues i njoftuar nga prokurorja shtetërore, e cila tha se ishte një vendim i marrë bazuar mbi faktet dhe jo prej presionit të komunitetit.

“Detyra ime si prokurore është të zbatoj ligjin dhe kjo do të thotë që ligji duhet zbatuar njësoj si për personat me uniformë edhe për civilët.”

Sindikata e Policisë reagoi menjëherë duke e konsideruar atë të njëanshme dhe kërkoi caktimin e një prokurori tjetër të pavarur. Michael Davey është me sindikatën e policisë.

“Besojmë se hapi i ndërmarrë sot nga prokurorja e shtetit është një nxitim flagrant dhe në shkelje të ligjit.”

Prokurorja refuzoi të tërhiqet nga deklarata e saj dhe u përgjigj duke thënë se pesë breza të familjes së saj kanë qenë punonjës të organeve të rendit. Ndërkohë që protestat vazhduan në një frymë më tepër festive, familja e Freddy Gray u shpreh se janë të kënaqur me akuzat e ngritura dhe bënë thirrje për qetësi.

Protestuesit ishin mbledhur për të festuar vendimin e prokurorisë, duke bllokuar kryqëzimin e dy rrugëve kryesore. Ata shpërfillën thirrjet e policisë për t’u shpërndarë në orën 22:00, kur hyn në fuqi ndalim-qarkullimi. Për pasojë, policia filloi aksionin për zbatimin e ndalim-qarkullimit, dhe kreu edhe disa arrestime.

XS
SM
MD
LG