Lidhje

Ish-Senatori Bob Dole mbi fitoren e 8 Majit


Amerikanët e shënuan ditën e fitores mbi nazizmin me një manifestim spektakolar avionësh mbi parkun qendror të Uashingtonit. Mes pjesëmarrësve ishte edhe ish-Senatori dhe ish-kandidat për president, Bob Dole, vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore.

Për shqiptarët, Bob Dolë ka mbetur në kujtesë si i dërguari i Presidentit amerikan Bill Clinton në bisedimet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në Kosovë në 1999. Ai pat folur hapur për nevojën e ndërhyrjes për të ndalur fushatën ushtarake serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Dje ish-Senatori kujtoi një etapë më të hershme të jetës së tij – atë të veteranit të luftës, ku iu bashkuar mijëra amerikanëve për të kujtuar sakrificat që çuan në fitoren mbi nazizmin. Ai e viziton përmendoren e Luftës së Dytë Botërore çdo javë.

Dje vizitorët e shumtë i kërkonin senatorit të dilnin në fotografi apo të bisedonin me të. Ai u shkëput për disa minuta për të folur me gazetarin e Zërit të Amerikës:

“Nuk e di se sa mijëra veteranë kam takuar këtu. Të gjithë janë njerëz të shkëlqyer që e duan vendin dhe që kanë bërë sakrifica. Shumë prej tyre janë me karrike me rrota, por janë shumë të fortë”.

“Sot është ditë shumë e veçantë. Është përvjetori i fitores në Evropë. Unë u plagosa tre javë para se të përfundonte lufta. Do të kisha bërë mirë të isha fshehur diku. Gjermanët më gjetën para se t’i gjeja unë. E kam për nder thjesht që marr pjesë”.

“Kjo është ditë e madhe për shumë njerëz. Shumë të rinj kanë rastin të mësojnë se si funksionon bota”.

XS
SM
MD
LG