Lidhje

Partnerët e Gjirit kërkojnë mbështetjen amerikane


Përpjekjet e presidentit Obama për arritur një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe përfshirja e Teheranit në konflikte që nga Jemeni në Siri kanë shtuar shqetësimet mes aleatëve të Uashingtonit në Gjirin Persik. Udhëheqësi amerikan do të përpiqet të sheshojë këto shqetësime ndërsa pret në një takim këtë javë gjashtë vende anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit në Gjirin Persik.

Për udhëheqësit e vendeve të Gjirit, skena e sivjetshme ku rebelët Houthi të mbështetur nga Irani marrin nën kontroll kryeqytetin e Jemenit dhe përzënë qeverinë e mbështetur nga Uashingtoni, janë shenja shtimi të kërcënimit nga Irani. Udhëheqësit e Gjirit vijnë për t’u risiguruar se kanë mbështetjen amerikane.

Presidenti Obama thotë se negocimi i marrëveshjes bërthamore me Iranin përbën në vetëvete, siguri për ata.

“Jam i bindur se nëse kjo kornizë çon në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, do të bënte që vendi ynë dhe aleatët tanë dhe mbarë botë të jenë më të sigurtë.”

Por partnerët amerikanë në rajonin e Gjirit Persik nuk janë kaq të sigurtë.

Yousef al-Otaiba, ambasador i Emirateve të Bashkuara Arabe në Amerikë, thotë se udhëheqësit e Gjirit duan të shtojnë marrëdhëniet e sigurisë me Uashingtonin.

“Po kërkojmë një formë garancie për sigurinë duke ditur sjelljen e Iranit në rajon dhe patur parasysh shtimin e kërcënimeve ekstremiste. Duam marrëdhënie më të fuqishme. Në të kaluarën, ka funksionuar thjeshtë premtimi i Shteteve të Bashkuara për sigurinë. Sot kjo duhet pasqyruar me shkrim, duhet diçka e institutionalizuar.”

Ndërsa nuk do të nënshkruhet ndonjë traktat, zoti Obama ka në plan të diskutojë me udhëheqësit e Gjirit rreth shtimit të kapaciteteve të tyre mbrojtëse.

Priten disa lëvizje për përshpejtimin e shitjes së armatimeve, krijimi i një sistemi rajonal për mbrojtjen nga raketat iraniane dhe manovra të përbashkëta ushtarake.

Por, presidenti Obama tha në një intervistë për gazetën The New York Times muajin e kaluar se monarkitë sunite në Gjirin Persik po ashtu duhet të kenë parasysh një tjetër kërcënim, nga vetë populli i tyre, i cili ndjehet i izoluar nga isntitucionet politike për të shprehur pakënaqësitë e tij. Zoti Obama tha se kërcënimi më i madh për vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, mund të mos jetë nga Irani, por pakënaqësitë e brendshme.

Kritikat e zotit Obama për politikat e brendëshme të udhëheqësve të Gjirit, sëbashku me përpjekjet për një traktat me Iranin, ka skrijuar mosbesim tek vendet e Gjirit. Ndaj, është e rendësishme që zoti Obama të dëshmojë në mënyrë të dukshme mbështetjen e tij.

Përveç darkës në Shtepinë e Bardhë, udhëheqësit do të takohen në Camp David, vendpushimin presidencial në një park malor pranë Uashingtonit që tradicionalisht është përdorur për takime të ngushta dhe të rëndësishme historike. Derek Chollet ka qënë Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes.

“Për presidentin, takimi me udhëheqësit e Gjirit në Camp David përbën një simbolikë të rëndësishme si për Shtetet e Bashkuara edhe për botën. Është simbolikë e rëndësishme e angazhimit tonë në rajon.”

Shtetet e Bashkuara kanë një prani prej 35 mijë trupash në rajonin e Gjirit dhe sikurse ato vende, kërkojnë të pengojnë veprimet destabilizuese të Iranit në këtë zonë. Ndërsa askush nuk pret që takimi i kësaj jave të eliminojë të gjithë skepticizmin dhe mosmarrëveshjet, ka shpresa se do të jetë hapi i parë drejt rivendosjes së besimit tek partneriteti mes palëve.

XS
SM
MD
LG