Lidhje

Takimi i Ministrave të Financave të BE-së


Ministrat e financave të BE-së u takuannë Bruksel duke vazhduar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për borxhin e Greqisë. Ndërkohë, Ministri i Financave të Britanisë, George Osborne, konfirmoi vendosmërinë për zhvillimin e një referendumi që do të vendosë të ardhmen e Britanisë në Bashkimin Evropian.

Në përfundim të takimit, Komisioneri i BE-së për Euron dhe Dialogun Social, Valdis Dombrovskis, tha se negociatat për borxhin grek duhet të përshpejtohen që ky vend të arrijë të përballojë situatën e vështirë në të cilën ndodhet.

“E dimë se situata e Greqisë është shumë komplekse dhe patëm dje bisedime shumë të zgjeruara në Eurogrup, ku u mirëprit progresi i bërë deri më tani, si dhe dëshira e autoriteteve greke për të përshpejtuar negociatat, ndërkohë që duhet t’i kishim përfunduar në fund të muajit prill. Fatkeqësisht, kjo nuk u arrit dhe mbetet ende shumë punë për t’u bërë, pikërisht për shkak se qeveria e Greqisë ndodhet në një situatë të vështirë likuiditeti.”

Greqia kërkon kushte më të lehtësuara, ndërkohë që po përballet me mungesë fondesh, ç’ka mund ta çojë vendin në falimentim dhenjë dalje të mundshme nga blloku i Euros.

Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, në mungesë të fondeve, Greqia ka përdorur fondet e emergjencës, që çdo vend anëtar i FMN-sës duhet të mbajë për raste emergjencash. Sipas një zyrtari të Bankës Qendore të Greqisë gjithë llogaria u zbraz për të paguar këstin prej 750 milionë Eurosh për FMN-në, duke shmangur falimentimin për momentin, por duke nxjerrë kështu në pah se sa e dobët është gjendja financiare e Greqisë.

Ndërkaq, Ministri britanik i Financave, George Osborne konfirmoi se qeveria e re britanike do të bashkëpunojë me partnerët evropianë për reformimin e BE-së, ndërkohë që pritet zhvillimi i një referendumi në Britani për të vendosur të ardhmen e këtij vendi në bllokun prej 28-vendesh.

“Nuk mendoj se ka ndonjë dyshim tashmë qëne do të zhvillojmë referendumin për qëndrimin ose jo të Britanisë në Bashkimin Evropian. Vijmë në negociata me konstruktivitet dhe angazhim, por të vendosur, dhe askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë tonë për të arritur më të mirën për popullin e Britanisë dhe të gjithë Bashkimit Evropian.”

Premtimi për një referendum deri në fund të vitit 2017 në lidhje me anëtarësimin në BE, ishte pika kryesore e programit elektoral të konservatorëve në Britani për zgjedhjet e sapozhvilluara.

Ministri i Financave të Austrisë, Hans Joerg Schelling, tha se një referendum i tillë është një mënyrë për politikanët të shmangin marrjen e përgjegjësisë për vendime të vështira.

“Mendoj se politikanët duhet të veprojnë me vendosmëri. Dhe kur politikanët besojnë se duhet të pyesin popullin, është një shenjë se nuk kanë vullnetin të marrin vendimet dhe të mbajnë përgjegjësitë.”

Ai shtoi se Britania ka nevojë për BE-në dhe BE-së i duhet Britania dhe se kjo është arsyeja që të gjithë ndodhen në të njëjtën varkë.

XS
SM
MD
LG