Lidhje

Hetimet mbi aksidentin në Filadelfia


Një hetues federal thotë se një mekanizëm i avancuar i sigurisë mund ta kishte parandaluar aksidentin e së martës në qytetin e Filadelfias, kur një tren pasagjerësh doli nga shinat.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit tha se treni mund të ketë qenë duke ecur me shpejtësi të madhe, më tepër se 160 kilometra në orë, të paktën sa dyfishi i shpejtësisë së lejuar, në një kthesë, kur u përplas, duke shkaktuar vdekjen e të paktën shtatë personave dhe duke plagosur edhe 200 të tjerë, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Anëtari i Bordit i tha gazetarëve se vendi ku ndodhi fatkeqësia nuk ishte pajisur me një sistem të quajtur Kontrolli Pozitiv i Trenit, që përdor GPS dhe pajisje të tjera monitoruese që e ngadalësojnë automatikisht trenin, në se ai është duke ecur me shpejtësi të madhe, ose rrezikon të përplaset me një tren tjetër.

Në vitin 2008 Kongresi miratoi një ligj që i kërkon Amtrakut, shërbimi hekurudhor kombëtar për pasagjerët, me financimin e qeveritar, si dhe të gjitha shërbimeve të tjera private për transportimin e mallrave dhe të pasagjerëve, të instalojnë sistemin PTC deri në fund të këtij viti.

Por Komisioni i Senatit për Tregtinë dhe Transportin miratoi në muajin mars një ligj, që i lejon industrisë hekurudhore ta shtyjë instalimin e sistemit në fjalë deri në vitin 2020, pasi kompanitë hekurudhore zhvilluan lobizëm për t’i bindur ligjvënësit, se nevojitet më tepër kohë.

XS
SM
MD
LG