Lidhje

Azia përballë krizës së refugjatëve


Malajzia ka filluar një raund të ri bisedimesh me fqinjët e saj në përpjekje për të zgjidhur krizën gjithnjë e më të rëndë të refugjatëve që janë bllokuar në anije në Azinë juglindore, ndërkohë që asnjë vend nuk duket i gatshëm të lejojë zbarkimin e tyre.

Ministri i Jashtëm malajzian Anifah Aman u takua me homologun e tij nga Bangladeshi, Abul Hassan Mahmood Ali, dhe po planifikon takime edhe me shefat e diplomacisë nga Indonezia dhe Tajlanda.

Zoti Anifah tha se Malajzia “nuk mund të pranojë refugjatë të tjerë, pasi ka në territorin e saj një numër shumë të madh dhe deri tani asnjë vend tjetër nuk ka pranuar t’i strehojë refugjatët”.

Ndërkohë që kriza vazhdon prej dy javësh, Tajlanda dhe Indonezia thonë se nuk do të pranojnë refugjatë të tjerë me frikën se nëse hapin kufijtë, mund të nxisin një dyndje të re imigrantësh. Mijëra prej refugjatëve të bllokuar në anije janë të përkatësisë etnike Rohingya, të cilët po përpiqen të largohen nga Birmania për t’i shpëtuar persekutimit. Në mesin e refugjatëve ka edhe bangladeshas.

XS
SM
MD
LG