Lidhje

Shpërthim eksplozivi në Tiranë


Tritol një godine në ndërtim. Dyshohet për një konflikt pronësie. Dëmtohen disa lokale. Dy persona mbeten të lënduar

Në Shqipëri një shpërthim me lëndë eksplozive ndodhi mbrëmë në kryeqytet në një nga lagjet kryesore të tij. Disa mjedise tregtare aty pranë pësuan dëmtime, sikundër dhe disa mjete ndërsa dy kalimtarë të rastit mbetën të lënduar.

Eksplozivi, i cili dyshohet të ketë qenë tritol, është vënë në një nga kollonat mbajtëse të një godine ende në ndërtim. Policia deri në mesnatë nuk dha asnjë njoftim zyrtar mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa mendohet se shkak mund të jetë një konflikt pronësie mbi godinën. Sipas njoftimeve të para ndërtuesi i saj, kishte marrë një kredi bankare dhe në pamundësi për ta shlyer kishte humbur pronësinë mbi ndërtesën e cila ishte shitur më pas në një ankand.

Kjo është ngjarja e dytë e rëndë në kryeqytet pas shkëmbimit të zjarrit të ndodhur të mërkurën në mbrëmje në një zonë qëndrore ku mbetën të vrarë tre persona, në një përplasje mes grupeve që mendoheshin se kishin cështje të pambyllura në trafikun e drogës.

XS
SM
MD
LG