Lidhje

Greqia paraqet një plan reformash


Greqia thotë se u ka paraqitur kreditorëve ndërkombëtarë një plan realist, në përpjekje për të parandaluar një falimentim dhe një largim të mundshëm nga eurozona.

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsiprasparaqiti mbrëmë vonë një plan që synon shmangien e falimentimit financiar të Greqisë.

Një zyrtar grek citohet të ketë thënë se plani u dorëzua gjatë një takimi me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Komisionit Evropian, Bankës Qendrore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar .

“Kemi bërë lëshime që i kërkon arritja e një kompromisi. E dimë se këto lëshime do të jenë të vështira, por nëse plani ynë realist pranohet nga kreditorët dhe partnerët tanë, atëherë do të shënojë fundin e skenarit për përçarjen e Evropës.”

Por, burime të brendshme nga bisedimet thonë se propozimi i fundit nuk përmban lëshime të mëdha për çështjet kryesore që pengojnë marrëveshjen, si p.sh. pensionet dhe çështjet e tjera të tregut të punës.

Zëvendëskancelari i Gjermanisë, dhe njëkohësisht Ministër i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, shprehu sot kënaqësinë për përpjekjet e reja të Gjermanisë, Francës, Komisionit Evropian dhe kreditorëve për arritjen e një marrëveshjeje dhe se shpreson që edhe qeveria e Greqisë t’i mbështesë.

“Është e drejtë që Gjermania dhe Franca po përpiqen edhe njëherë të gjejnë një zgjidhje pasi pasojat politike të një falimentimi të Greqisë do të kishin pasoja me përmasa të jashtëzakonshme. Shumë njerëz kanë filluar të krijojnë përshtypjen se do të ishte më mirë pa Greqinë në eurozonë. E vërteta është se nëse thyejmë një copëzë të shtëpisë evropiane, atëherë Evropa do të gjendet në një situatë krejt të ndryshme.”

Nëse nuk do të arrihet një marrëveshje këtë muaj, Greqia rrezikon të dalë nga eurozona, duke i dhënë një goditje të rëndë monedhës së përbashkët evropiane.

XS
SM
MD
LG