Lidhje

France: Operacion për largimin e tendave


Policia në Paris sot filloi evakuimin e qindra imigrantëve nga një kamp me tenda të ngritur pranë stacionit të trenit në një zonë turistike të qytetit.

Kampi ishte ngritur në një trotuar, ku vazhdimisht shtohej numri i njerëzve dhe që u bë simbol i sfidës me të cilën përballen vendet evropiane nga rritja e numrit të imigrantëve.

Imigrantët, shumica e tyre nga Afrika Lindore, ndërmarrin udhëtimin e vështirë dhe me të papritura për të shkuar në kryeqytetin francez, por atje ata përballen në një ngërç ligjor, me shumë pak perspektivë për të fituar strehim dhe shanse të vogla për të gjetur punë.

Kësaj gjendjeje të pashpresë i shtohet zemërimi për praninë e tyre i udhëheqësve lokalë dhe disa banorëve.

Sot, dhjetra makina policie dhe kamionë mbeturinash rrethuan zonën e kampit të refugjatëve të ngritur nën hijen e Bazilikës së famshme të Sacre Coeur-it dhe pranë stacionit të trenit Gare du Nord.

Imigrantët, i mblodhën ngadalë batanijet e tyre dhe sendet e pakta që kishin dhe hipën nëpër autobuzë, pa e ditur destinacionin e tyre. Ata kanë jetuar pranë shinave të trenit Eurostar që çon për në Britani, me muaj të tërë.

Evakuimi i tyre në Paris po bëhet ndërkohë që BE-ja po kërkon mënyra më të mira për të trajtuar vërshimin e imigrantëve, përfshirë një plan të debatueshëm për t’i shpërndarë refugjatët që vijnë nga brigjet mesdhetare mes 28 vendeve anëtare të BE-së. Kjo do t’ia lehtësonte barrën Italisë dhe Greqisë.

XS
SM
MD
LG