Lidhje

Turqia në prag të zgjedhjeve


Election Flags
Election Flags

Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të dielën në Turqi parashikohen të jenë ndër më të ngushtat në më shumë se një dekadë për partinë AK në pushtet. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan gjithnjë e më shumë po sulmon partinë opozitare pro-kurde HDP, e cila është duke kërkuar për të hyrë në parlament për herë të parë si parti politike. Siç njofton Dorian Jones për Zërin e Amerikës nga Stambolli, shtimi i sulmeve politike ndaj HDP-së përkon me një rritje të numrit të sulmeve të dhunshme kundër kësaj partie.

Ndërsa kanë mbetur vetëm pak ditë nga fushata para zgjedhjeve të 7 qershorit, partia pro-kurde HDP po përballet me dhunë politike në rritje. Policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të ndaluar protestuesit dhe duke u përpjekur për të prishur një miting të partisë HDP në qytetin lindor Erzurum. Në të njëjtin rajon, një turmë sulmoi një autobus të fushatës dhe i vuri zjarrin. Shoferi autobusi thuhet se u plagos; nuk dihet sa rëndë. Një aktivist HDP-së u qëllua për vdekje të mërkurën në Turqinë juglindore në afërsi të autobusit të tij të fushatës, që u përshkua nga breshëri armësh.

Vala e dhunës politike pason një fjalim në të njëjtin rajon të mërkurën nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili dënoi me tone të ashpra partinë pro-kurde.

Lobi armen, homoseksualët dhe ateistë - të gjithë këta përfaqësues përfitojnë nga çdo sukses HDP-së, tha zoti Erdogan.

Edhe pse presidenti është i detyruar nga kushtetuta të jetë i paanshëm, ai ka shtuar retorikën kundër HDP-së. Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se kjo parti do ta kalojë pragun zgjedhor 10 për qind të nevojshëm për përfaqësim parlamentar. Nëse HDP-ja e arrin këtë, 70 apo më shumë vende që ajo do të sigurojë në parlament do të jenë në dëm të Partisë AK.

Partia AK është duke u përpjekur për të siguruar një shumicë prej tre të pestash për të ndryshuar kushtetutën dhe për të futur një sistem presidencial, për të cilin presidenti Erdogan po bën thirrje. Sinan Ulgen, studiues në institutin Carnegie Evrope në Bruksel, thotë se tensionet në rritje janë tregues i rëndësisë së HDP në rezultatin e zgjedhjeve dhe në të ardhmen e Turqisë.

"Nëse HDP kap pragun prej 10 për qind, kjo do të eliminojë tërësisht mundësinë për partinë në pushtet për të marrë tre të pestat e nevojshme për çdo ndryshim kushtetues. Dhe në varësi të mbështetjes që do të marrë partia AK, kjo mund të tregojë se partia në pushtet do të humbasë shumicën e saj të thjeshtë në parlament."

Partia HDP pretendon se ka qenë objektiv i mbi 100 sulme që nga fillimi i fushatës së zgjedhjeve, duke përfshirë shpërthimet në zyrat e saj në qytetet Mersin dhe Adana. Presidenti Erdogan gjithashtu ka shtuar sulmet ndaj shtypit duke e akuzuar atë se punon me organizatat ndërkombëtare të mediave, si pjesë e një komploti kundër tij dhe Turqisë.

Më parë këtë javë, avokati i zotit Erdoganit paraqiti një ankesë në prokurorinë e Ankarasë duke kërkuar që Can Dundar, redaktor i Cumhuriyet, një nga gazetat më të me ndikim të Turqisë, të dënohet me dy burgime të përjetshme plus 42 vjet burgim për publikimin e një video që mendohet se tregon një dërgesë të armëve të paligjshme për rebelët sirianë. Presidenti Erdogan e akuzoi këtë gazetë për komplot kundër tij dhe qeverisë, dhe paralajmëroi se Dundar do të duhet të paguaj një çmim të rëndë për këtë.

Rasti kundër Dundarit ka tërhequr vemendjen kombëtare dhe ndërkombëtare. Emma Sinclair Webb e Human Right Watch, thotë se akuzat kundër Dundarit janë të papranueshme

"Gazeta Cumhuriyet dhe Can Dundar ishin duke bërë punët e tyre si gazetarë. Të sulmosh, kërcënosh dhe akuzosh një gazetë dhe redaktorin e saj për tradhti të lartë, spiunazh, terrorizëm dhe komplot për grusht shtet, është absolutisht e papranueshme në një vend demokratik."

Vëzhguesit paralajmërojnë se me rezultatet e zgjedhjeve në dukje të pasigurta, tensionet politike ka të ngjarë të rriten në ditët e fundit të fushatës.

XS
SM
MD
LG