Lidhje

Shërbim i ri me taksi në SHBA


taxi app
taxi app

Këtu në Shtetet e Bashkuara, një program i ri që përdoret në telefonat inteligjent ka në plan të sfidojë kompanitë e taksive si Uber dhe Lyft, duke u dhënë mundësinë përdoruesve të bëjnë ofertë për çmimin që do të paguajnë për udhëtimin. Firma e re, e quajtur “Opoli”, me qendër në Los Anxhelos, ka premtuar gjithashtu se do t’i lërë klientët të zgjedhin shoferin që dëshirojnë, ndërsa po zgjeron prezencën e saj.

“Opoli” është novacioni më i fundit në botën e shërbimeve taksi të bazuara tek një aplikacion apo tek rrjetet e mediave sociale.

Në konkurencë me aplikacionet ekzistuese në treg, si Uber, Lyft, dhe SideCar, ky program i ri lidh njerëzit që kërkojnë taksi direkt me shoferët që ofrojnë shërbimin.

Kompania Opoli Technology Inc., me qendër në Hawthorne, të Kalifornisë, ka të regjistruar online 450 shoferë të disponueshëm në Los Anxhelos, dhe tani po synon të zgjerohet edhe më tej.

Sipas kompanisë, programi i tyre ofron vetëm shoferë me liçensë dhe siguracion komercial.

Përdoruesit mund të shikojnë foton e shoferëve përpara se të vijë makina, dhe pagesat përcaktohen nëpërmjet një sistemi ankandi. Klienti cakton shumën që ai mendon, dhe shoferët në zonë bëjnë kundërofertat e tyre derisa të arrihet një pikë marrëveshjeje.

Pronari i kompanisë, Rattan Joea, ka emigruar nga India në vitin 1983 dhe ka punuar vetë si shofer për shumë vite.

“Me programin Opoli mund të zgjedhëshi vetë shoferin, makinën, dhe të përcaktoni çmimin. Dhe jo vetëm që përcakton vetë nivelin e pagesës, por mëson edhe se sa është i gatshëm të ofrojë shoferi.”

Shofer prej 12 vitesh, Kevin Ingram thotë se klientëve u pëlqen proçesi i pazarit, si dhe fakti që të gjithë shoferët janë të siguruar. Ndërsa Adam Wynant thotë se i pëlqen trajtimi i barabartë i shoferëve dhe klientëve nga kompania. Makina e tij është e tipit Tesla, dhe për të ka kërkesë të madhe, shpeshherë me ofertë të bërë disa ditë përpara.

“A nuk do preferonit të kishit mundësinë t’ju vinte një makinë për të cilën mund të bëni ofertën dy-tre ditë përpara? Ndoshta planifikoni të shkoni në një dasëm dhe doni të shkoni atje me një Tesla, dhe doni ta siguroni prenotimin tre ditë përpara. Kjo nuk bëhet dot me asnjë firmë tjetër. Vetëm ‘Opoli’ të jep mundësinë të planifikosh, dhe madje të bësh ofertë për pagesën përpara kohe.”

David Aaronson, ekspert për teknologjinë, mediat sociale dhe aplikacionet e celularëve, drejton një kompani marketingu online.

“Kompani si Uber e çmontuan krejtësisht industrinë e taksive, dhe ndërkohë hynë disa kompani të tjera në këtë treg. Tashmë vjen ‘Opoli’ me oferta novatore dhe ripërkufizon më tej një treg tashmë krejt të ri.”

Caroline Menodonca merret me biznes në Los Anxhelos dhe është kliente e rregullt e Opolit.

“Më pëlqen që mund të rezervoj makinën dhe përcaktoj vetë çmimin. Kanë qëndrueshmëri dhe siguri, gjë që është shumë e rëndësishme për mua. Kur dal me shoqet në fundjavë mund ta kem të rezervuar makinën.”

David Aronson shton se tashmë mediat sociale do të kontribuojnë për rritjen e Opolit.

“Statistikat tregojnë se 78% e njerëzve nuk u besojnë më reklamuesve. Por, më shumë se 70% i besojnë asaj që dëgjojnë nga njerëz të tjerë në mediat sociale. Aplikacionet sociale tashmë përdoren nga celularët në pothuajse 70% të kohës. Nuk ka më rëndësi se çfarë ndodhet në kompjuterin tënd. Tashmë e ke të gjithë jetën tënde me vete në telefonin inteligjent i cili është shndërruar tashmë në një kompjuter.”

Sipas zotit Aronson, tregu i telefonisë mobile në SHBA është i ndarë në 50% Android dhe 50% iPhone.

XS
SM
MD
LG