Lidhje

Kriza politike në Maqedoni


Drejtuesi i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, tha të hënën se pushteti ka përgjuar një numër të konsiderueshëm organizatash joqeveritare. Ai nuk i bëri publike bisedat e përgjuara telefonike, që pretendon se i ka, por tha se dosjet e tyre ua dorëzoi organizatave joqeveritare.
Disa nga përfaqësuesit e këtyre të fundit paralajmëruan procedura gjyqësore “për shkak të ofendimit që u është bërë”.
Zoti Zaev, i cili ngul këmbë që zgjedhjet e parakoshme në Maqedoni t’i organizojë një qeveri e përkohshme, pa pjesëmarrjen e Kryeministrit aktual Nikolla Gruevski, do të takohet me këtë fundit në Bruksel, në përjekje të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni.
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn do të ndërmjetësojë takimin e caktuar më 10 qershor, ku pritet të diskutohet rreth zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, Sekretari i OSBE-së, Lamberto Zanier dhe Komsioneri Hahn u bënë sot thirrje partive politike në Maqedoni, që të përfshihen në procesin politik për arritjen e një marrëveshjeje përmes dialogut.
Dy zyrtarët e lartë evropianë e shikojnë me shqetësim gjendjen në këtë vend.
Zanier dhe Hahn kanë theksuar para dy ditësh se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme deri në prill të vitit 2016, siç kanë rënë dakort drejtuesit politikë, do të paraqiste një hap të rëndësishëm përpara drejt normalizimit të gjendjes.
Ndërkohë, drejtuesi opozitar maqedonas i mohoi zërat se mund të kishte arritur një marrëveshje me partinë Bashkimi Demokratik për Integrim për të mos i botuar të gjitha përgjimet ku protagonistë janë zyrtarë të lartë të kësaj partie shqiptare. Zoran Zaev tha se BDI-ja është pjesë e këtij pushteti të zhytur në korrupsion, sipas tij, ndërkohë që i bëri thirrje partisë që të largohet nga koalicioni qeveritar “për të dëshmuar, kështu, se nuk është përfshirë në korrupsion dhe akte të tjera kriminale”.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës para disa ditësh, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se largimi i partisë së tij nga qeveria nuk do të zgjidhte krizën.
Zoran Zaev bëri thirrje për durim në lidhje me rastin "Monstra" dhe vrasjen e pesë maqedonasve para dy vjetësh, për të cilën gjashtw shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm, ndërkohë që opozita maqedonase, në bazë të bisedave të përgjuara telefonike, ka hedhur dyshime të jenë bërë manipulime në procesin gjyqësor.
"Asgjë nuk do të mbahet e fshehtë dhe qytetarët do të mesojnë për gijthçka", tha zoti Zaev.
Lidhja Social Demokrate e opozitës pretendon se janë mbi njëzet mijë qytetarë, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, personalitete të jetës publike, biznesmenë e gazetarë të përgjuar nga shërbimi sekret i Maqedonisë.
Ndërkaq, partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski e akuzon drejtuesin opozitar për bashkpëpunim me shërbime të huaja sekrete dhe për përpjekje të marrjes së pushtetit me dhunë.
XS
SM
MD
LG