Lidhje

Bombat në Tiranë, arrestohet Gjutaj


Vladimir Gjutja ishte shpallur në kërkim si organizator i shpërthimeve me eksploziv në kryeqytet në shkurt, mes të cilave edhe ndaj farmacisë së babait të ministrit Saimir Tahiri. Arrestimi në tunelin e Kalimashit

Në Shqipëri policia arrestoi sot Vladimir Gjutën, shpallur në kërkim pasi dyshohet të jetë organizatori i vendosjes së bombave dhe shpërthimeve me eksploziv të ndodhura në Tiranë në muajin shkurt, mes tyre edhe në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Gjuta dyshohet të jetë dhe dërguesi i një mesazhi kërcënues ndaj ministrit Tahiri, në telefonin e këtij të fundit, muajin e shkuar, që të mos merrej me familjen Gjutaj. Në mes pesë personave të arrestuar deri më tani për cështjen e bombave, janë dy të afërm të Vladimir Gjutajt.

Aksioni i sotëm i policisë u realizua në tunelin e Kalimashit, në autostradën e kombit. Gjutaj mendohet se ishte nisur nga Tirana në drejtim të Kukësit. Policia duket se ka patur informacion paraprak për lëvizjen e tij dhe ka pritur që ai të hynte në tunel dhe të bllokonte hyrje daljet, për të mos i lënë asnjë mundësi që të largohej. Menjëherë pas arrestimit ai është sjellë nën mbikqyrjen e forcave të shumta të policisë dhe njësive special në Tiranë. Bashkë me të është arrestuar dhe nje shtetas nga Kosova i cili udhëtonte në të njejtën makinë me të.

Ndaj të gjithë personave të arrestuar deri më tani rëndojnë një seri akuzash për “Vepra me qëllime terroriste”, “Krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

XS
SM
MD
LG