Lidhje

Sot, Dita Botërore e Refugjatëve


Sot është Dita Botërore e Refugjatëve.

Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë në një raport të ri se një numër rekord njerëzish, 59 milion e 500 mijë, në krahasim me 51 milion e 200 mijë nga viti I kaluar, kanë qenë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të sigurisë.

Presidenti amerikan Barak Obama tha se "Dita Botërore e Refugjatëve është një rast solemn që Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët e komunitetit ndërkombëtar të njohin dinjitetin, vlerën dhe potencialin e çdo njërit prej këtyre njerëzve."

OKB-ja thotë se një në çdo 122 njerëz në botë është ose refugjat, ose person i zhvendosur, ose duke kërkuar azil. Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, nëse kjo ishte do të ishte popullsia e një vendi, ajo do të ishte e 24-a më e madhe në botë.

Kriza e refugjatëve, me përmasa të papara

"Bota po përballet me krizën më të rëndë të refugjatëve të kohëve moderne - dhe përgjigja globale ndaj saj ka qenë për të ardhur keq, e papërshtatsheme". Ky është përfundimi i raportit më të fundit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Grupe humanitare po bëjnë thirrje për një takim global për trajtimin e krizës.

Të tejlodhur, të djegur nga dielli, të dehidratuar dhe me asgjë tjetër në veç një çante me rroba, refugjati sirian Sameh, djali dhe gruaja e tij, të dërrmuar, zbresin nga një anije e marinës irlandeze në një port në Katania të Italisë.

Ata dhe qindra refugjatë të tjerë u shpëtuan këtë javë, ndërsa udhëtonin me gomone në Deti Mesdhe:

“Çdo qenie njerëzore e planetit tonë e do vendin e tij," - thotë Sameh. “Por situata në Siri do ta detyronte cilindo të kërkonte një strehë të sigurtë, një vend të sigurtë për veten, gruan, fëmijët."

Sameh dhe familja e tij janë pjesë e një eksodi me përmasa epike. Kombet e Bashkuara thonë se deri në fund të vitit 2014, më tepër se 60 milionë njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre - zhvendosja më e madhe e regjistruar ndonjëherë. Vetëm këtë vit, më tepër se 100 mijë imigrantë kanë kaluar Detin Mesdhe për në Evropë. Rreth 2 mijë njerëz kanë vdekur.

Andrej Mahecic është zyrtar i agjencisë së refugjatëve:

"Mesdheu është ndoshta vetëm pasoja e dukshme e asaj që ndodh sot në botë. Të mos harrojmë që 86 për qind e refugjatëve të botës strehohen nga vendet në zhvillim. Për shembull, Siria ka qenë shkaku kryesor i zhvendosjes së njerëzve në katër vitet e fundit. Shumica e sirianëve kanë gjetur strehim në vendet në zhvillim, rreth 4 milionë prej tyre."

Këtë javë pamje pikëlluese paraqesin refugjatë sirianë duke i ikur luftimeve që zhvillohen mes Shtetit Islamik dhe forcave kurde, të cilat përpiqen të kalojnë kufirin për në Turqi. Fqinjët e Sirisë po përpiqen ta frenojnë fluksin e refugjatëve. Ata kanë marrë një mbështetje tepër të vogël nga komuniteti ndërkombëtar, thotë Anna Shea e Organizatës "Amnesty International".

“Në Liban, një në pesë njerëz janë refugjatë. Turqia ka numrin më të madh të popullsisë refugjate, mbi 1.7 milionë vetë. Përballë këtij fluksi masiv të njerëzve në një periudhë të vogël kohe, vendet pritëse janë duke zbatuar rregulla shqetësuese."

Sipas grupit "Amnesty International", refugjatët e Afrikës, të harruar, përbëjnë një krizë botërore më vete. Vetëm nga Afrika Nën-Sahariane ka mbi 3 milionë refugjatë.

“Është e habitshme, që shumë vende të botës janë burim dhe njëkohësisht destinacion për refugjatët. Kështu, vende që persekutojnë njerëzit dhe ku ka shkelje të të drejtave të njeriut, në fakt i mirëpresin refugjatët."

Zonja Shea thotë se përgjigja globale ndaj imigrantëve u theksua muajin e kaluar, ndërsa mijëra refugjatë Rohingya nga Myanmari u lanë në mesin e Detit Andaman për javë të tëra, ngaqë asnjë vend nuk pranonte t'i merrte. Indonezia dhe Malajsia tani i kanë ofruar atyre sistemim të përkohshëm.

Bota është duke hyrë në një epokë të rrezikshme, ku përgjigja humanitare mbetet mjaft e vogël për shkak të shkallës së krizës humanitare, thotë zyrtari i OKB-së, Andrej Mahecic:

“Në 5 vitet e fundit, kanë shpërthyer 15 konflikte në pjesë të ndryshme të botës. Tetë prej tyre vetëm në Afrikë. Tre në Lindjen e Mesme, disa prej tyre janë Siria, Iraku dhe Jemeni. Një tjetër është Ukraina, në Europë. Kjo zhvendosje e paparë e njerëzve kërkon përgjigjen e duhur."

Zoti Mahecic thotë se shpresa afatgjatë është një zgjidhje politike për krizën. Por shumë nga këto konflikte janë duke u intensifikuar dhe numri i njerëzve që detyrohen të largohen nga vendet e tyre për të shpëtuar jetën vazhdon të rritet.

XS
SM
MD
LG