Lidhje

Vendimet e Gjykatës së Lartë për imigracionin


Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara dha dy vendime të rëndësishme javën e kaluar: njeri bën të pavlefshëm procedurën ligjore për emigrantët, ndërsa tjetri ofron mbrojtje për ata që u ka kaluar afati në procedurat e deportimit.

Rasti i parë, “Kerry kundër Din”, ka të bëjë me të drejtën e Kanishka Berashk-ut, bashkëshortit të Fauzia Din-it, i cili kërkon që të jetë në gjendje të emigrojë në SHBA për t'u bashkuar me Fauzia Din-in, e cila është një qytetare amerikane.

Pasi Departamenti amerikan i Shtetit i kishte mohuar kërkesën për vizë zotit Berashk, duke cituar një ligj në lidhje me terrorizmin, pasi ai ka punuar në qeverinë e talebanëve, Fauzia Din-i paditi Sekretarin e Shtetit John Kerry dhe u përpoq që Gjykata e Lartë të shqyrtonte këtë mohim të vizës.

Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se duke mos qënë qytetar amerikan Kanishka Berashk-u nuk ka të drejtë t’i drejtohet sistemit të gjykatave dhe gruaja e tij, qytetare amerikane, po ashtu nuk kanë të drejtën të ankimohet në një gjykatë federale për mohimin e vizës.

Steven Yale-Loehr, profesor i drejtësisë në Universitetin Cornell, thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë në këtë rast ka një ndikim shumë më të gjerë mbi emigracionin në SHBA.

"Nëse një qytetare amerikane martohet me një shtetas kinez në Kinë dhe përpiqet që përmes procesit të kartës së gjelbërt, bashkëshorti i saj, i huaj të vijë në Shtetet e Bashkuara, në qoftë se konsullata amerikane në Guangzhou le të themi, i mohon vizën, pasi bashkëshorti është një ish-anëtar i Partisë Komuniste, ose ata pretendojnë ndoshta se qytetari kinez ka krye krime në të kaluarën, edhe pse kjo është e paprovuar, rasti nuk do të mund të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë amerikane, " thotë ai.

Yale-Loehr shton se kjo do të thotë se çifti ose duhet të ndahet ose qytetari/ja amerikan/e do të duhet të shkojë në Kinë për të jetuar atje me bashkëshortin e tij ose të saj.

Kerry William Bretz, një avokat për emigracionin në Nju Jork, thotë se gjykata në mënyrë të qartë ndan të drejtat për njerëzit brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

"Procesi i rregullt ligjor vlen vetëm për njerëzit që janë në Shtetet e Bashkuara, nëse janë qytetarë amerikanë ose jo, por mjafton që të ndodhen fikisht në Amerikë." thotë ai. "Këtë të drejtë nuk e gëzojnë njerëzit jashtë vendit."

Avokati Bretz thotë se "shumica e njerëzve që kërkojnë të ankohen ndaj refuzimit të vizave janë jashtë vendit dhe ata janë duke kërkuar një vizë jo-imigranti dhe çdo vizë jo-imigranti është në juridiksionin e Departamentit të Shtetit."

Në rastin e dytë, Gjykata e Lartë vendosi kohët e fundit, për cështjen “Mata kundër Lynch”. Noel Reyes Mata, një emigrant pa dokumente nga Meksika u vendos të deportohej, pasi u dënua për një krim. Ankesa e tij u refuzua përfundimisht nga Bordi i Apelit për Imigracionin, pasi avokatët e tij nuk arritën të paraqesin ankesën e apelimit dhe më vonë humbën afatin për paraqitjen e kërkesës për rihapjen e rastit.

Pasi gjykata më e ulët e hodhi poshtë çështjen Mata, Gjykata e Lartë amerikane vendosi se gjykata federale e apelit ka autoritetin për të dëgjuar rastin e tij dhe të vendosë nëse njerëzit që përballen me deportimin duhet të jetë në gjendje për të zgjatur afatet në procedurat e imigrimit.

Steven Yale-Loehr i Universiteti Cornell thotë se Gjykata e Lartë theksoi mbrojtjen procedurale të deportimit. "Gjykata e Lartë ka thënë: ne nuk do të vendosim nëse vendimi për rastin e qytetarit meksikan duhet përmbysur, por të paktën gjykata federale ka juridiksion për ta shqyrtuar çështjen."

Kerry William Bretz, avokati për emigracionin në Nju Jork, thotë se klauzola e procesit ligjor, sipas Kushtetutës amerikane, në thelb do të thotë se të jepet e drejta për të dalë një ditë para gjykatës dhe për këtë ka rregulla.

"Në qoftë se qëllimisht i thyen këto rregulla, nuk do të kesh të drejtën që një ditë të dalësh para gjykatës. Por nëse avokati juaj bën gabime, pasi të gjithë jemi njerëz, atëhere duhet të jesh në gjendje për ta kërkuar ende këtë të drejtë”, thotë ai.

Bretz thotë se në thelb vendimi do të thotë. "Avokati ka humbur në mënyrë të qartë një afat dhe si rezultat, vendimi për personin në fjalë nuk është marrë pa shqyrtuar provat”.

Yale-Loehr vë në dukje se këto dy vendime nënvizojnë botëkuptimin e Gjykatës së Lartë për çështje të emigracionit: ndryshe nga qytetarët, emigrantët kanë më pak të drejta thelbësore kushtetuese, por ata mund të gëzojnë disa të drejta procedurale.

Sipas Bretz, Gjykata e Lartë amerikane ka nxjerrë edhe disa vendime të tjera që nga viti 2010 që kanë të bëjnë me të drejtat ligjore të deportimit, dhe pothuajse të gjitha ngushtojnë aftësinë e qeverisë për të deportuar njerëzit që kanë kryer shkelje të vogla penale.

XS
SM
MD
LG