Lidhje

Protesta në Athinë


Në Athinë kanë vazhduar protesta të reja, me pjesëmarrje këtë radhë të disa qindra protestuesve që kundërshtojnë masat shtrënguese financiare të vendosura ndaj Greqisë. Kjo protestë njoftohet të jetë më e vogël në numër krahasuar me protestat në mbështetje të qëndrimit të Greqisë në Bashkimin Evropian.

Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane për të ngrirë fondet drejt bankave të Greqisë, sistemi financiar grek gjendet pranë rrënimit.

Nëpërmjet një fjalimi televiziv, Kryeministri Tsipras e deklaroi ditë pushimi për bankat e vendit. Duke fajësuar Bankën Qendrore Evropiane, ai gjithashtu informoi se do të vendosen kufizime për kontrollin e kapitalit bankar në vend. Kryeministri grek nuk qartësoi se për sa kohë do të qëndrojnë bankat të mbyllura.

Parlamenti grek votoi sot në favor të kërkesës së qeverisë së Kryeministrit Alexis Tsipras për organizimin e një referendumi në lidhje me kushtet e vendosura nga ndërkombëtarët për shpëtimin e situatës financiare.

Grekët do të shkojnë në referendum më datë 5 korrik. Kryeministri Tsipras tha se populli “duhet të vendosë i çliruar nga shantazhi”.

“Në vendin ku lindi demokracia, ne nuk do të kërkojmë lejen e zotit Scauble apo të zotit Dijsselbloem për t’i dhënë zë vullnetit të popullit. Nuk do të kërkojmë leje prej tyre për të mbrojtur demokracinë në vendin e saj të lindjes. Referendumi ku populli do të vendosë në mënyrë sovrane për të ardhmen e tij do të zhvillohet normalisht të dielën që vjen, me ose pa dëshirën e partnerëve tanë.”

Greqia i është afruar më shumë mundësisë së një daljeje nga Eurozona me refuzimin e Evropës për të zgjatur programin e shpëtimit. Kryeministri i Francës, Manuel Valls, vlerësoi meritat e mekanizmit të një referendumi popullor, dhe gjithashtu i bëri thirrje Greqisë të rikthehet në bisedime, pasi ka ende shanse. Tjetër mesazh dha ministri gjerman i financave.

“Në ditët në vijim, Greqisë do t’i fillojnë tashmë probleme të thella për shkak të këtij vendimi që mori.”

Shefi i Eurozonës, Jeroen Dijsselbloem, tha se dalja nga bisedimet është një vendim i hidhur për Greqinë. Një deklaratë e anëtarëve të Eurogroup-it, pa Greqinë, informoi se autoritetet e Eurozonës janë të gatshëm të ndërmarrin të gjithë hapat e duhur për të ruajtur stabilitetin financiar në Eurozonë.

Banka Qendrore Evropiane do të takohet për të shqyrtuar situatën e bankave greke, për të cilat mendohet se nuk do të kenë fonde për të çelur dyert ditën e hënë. Në të gjithë Greqinë, janë krijuar radhë të gjata në bankomate, prej frikës se bankat nuk do të funksionojnë dhe se qeveria greke mund të imponojë kufizime për tërheqje parash me synimin për të ruajtur depozitat brenda vendit.

XS
SM
MD
LG