Lidhje

Udhëtimi i vështirë drejt Evropës


Një numër i madh imigrantësh nga Afrika hyjnë në vendet perëndimore të BE-së përmes Hungarisë. Atyre u duhet të bëjnë një udhëtim të vështirë dhe plot rreziqe, në kërkim të një jete më të mirë në Evropë:

Kur Jean-Paul Apetey mendon për të gjitha ato që ka hequr në rrugëtimin e tij drejt Europë, i duket e pabesueshme që ka arritur në Hungari.

Udhëtimi i vështirë drejt Evropës
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:14 0:00

Sot ai luan futboll me një mikun e tij imigrant nga Bregu i Fildishtë 18-vjeçarin Hamed Kouyate, në Gellert Hill, prej nga shihet panorama e të gjithë Budapestit dhe lumit Danub që gjarpëron mespërmes kryeqytetit hungarez. Ky është një vend i mirë për të menduar për hapat e tij të mëtejshëm, për të arritur në destinacionin e tij përfundimtar, Parisin.

"Për të qenë i lirë, pa telashe dhe për ta organizuar vetë jetën time, kjo është ajo që dua", - thotë Apetey.

34-vjeçari Jean-Paul Apetey jetoi për muaj të tërë në varfëri në Turqi, drejtoi një anije të mbushur me imigrantë për në Greqi, humbi çantën e shpinës, ndërsa përpiqej t'i shmangej policisë gjatë një udhëtimi në këmbë prej 200-kilometrash për në Maqedoni, mundi t'i shpëtojë një bande kontrabandistësh nga Bangladeshi që e morën peng, u përlesh me një grup vjedhësish të armatosur me thika në Serbi dhe mundi ta mbarojë udhëtimin e tij nëpër Ballkan vetëm falë një veprimi të pashembullt njerëzor të një turisti francez, që e mori në makinën e tij për të kaluar kufirin.

Tani ai ndodhet në Hungari, ndërsa mbarë Bashkimi Evropian është përfshirë në një stuhi imigracioni.

Kouyate, miku i tij futbollist, tregon se fillimisht mundi t'i shpëtojë policisë maqedonase, por pastaj përfundoi tek një shtëpi e fshehtë në Logan, një qytezë maqedonase në kufi me Serbinë, nën mëshirën e kontarbandistëve nga Banlgadeshi, "të specializuar" për largimin fshehurazi të kamionëve me imigrantë përmes Serbisë.

Pasi pagoi për të dalë nga "shtëpia e fshehtë", ai udhëtoi me makina të tejmbushura dhe me kamionë që transportonin bagëti, por u ndalua nga policia dhe u dërgua përsëri në Lojane; më në fund, pas një jave arriti në Hungari, pasi e përshkoi më këmbë pjesën më të madhe të Serbisë.

Në kufirin hungarez, ai ju bashkua një grupi imigrantësh nga Kameruni dhe Eritrea, por u kap nga policia hungareze. Bashkë me të tjerët i futën në burg për një ditë dhe pastaj i çuan me autobuzë në kampin e imigrantëve në Debrecen.

Ai i paralajmëron të tjerët të mos e ndërmarrin këtë udhëtim:

"Nuk është e lehtë, shumë njerëz kanë humbur jetën, ose janë bërë sakatë në këtë udhëtim të vështirë. Nuk do t'ja rekomandoja asnjeriu këtë udhëtim ilegal."

Apetey dhe Kouyate ishin pjesë e një grupi që u nisën në muajin shkurt nga Greqia veriore më këmbë, nën udhërrëfimin e një ushtari nga Afrika Perëndimore, që i kërkoi nga 500 dollarë secilit për të arritur në kufirin Maqedoni - Serbi.

Ata kaluan kodra e lumenj në mes të shiut e borës, kryesisht natën, për të mos u diktuar, nuk kishin ushqime të mjaftueshme, ngaqë udhëtimi u zgjat për shkak të ngricës, mbilodhjes dhe lëndimeve gjatë rrugës.

Pas 10 ditësh, policia maqedonase e kapi grupin dhe e ktheu shumicën përsëri në Greqi, ndërsa të tjerët i lanë plaçkat që kishin me vete dhe u shpërndanë.

Vetëm shumë pak prej tyre mundën të arrijnë në Hungari…

Ashtu sikurse Apetey dhe Kouyate, në Hungari vijnë dhjetra mijëra refugjatë në vit, me synimin për të hyrë në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Rruga mund të jetë e mbushur me plot rreziqe, por nuk mund të krahasohet me rreziqet vdekjeprurëse të imigrantëve nga Afrika Veriore që shkojnë me barka në Itali.

Imigrantët preferojnë të shkojnë në Hungari, sepse shumica e tyre lejohen më pas të hyjnë në vende perëndimore të BE-së. Shumica e tyre brenda një jave dërgohen në Gjermani, ose në Francë.

Marrëveshja e BE-së për imigrantët kërkon që ata të aplikojnë për azil në vendin e parë ku arrijnë.

Vetëm një pjesë e vogël e imigrantëve që kapen nga autoritetet deportohen.

Vetëm Greqia bën përjashtim, sepse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë vendimin se sistemi grek i azilit është abuziv.

Kjo do të thotë që imigrantët që vijnë nga Greqia dhe kalojnë Ballkanin për në Hungari, duhet teorikisht të ridërgohen në Hungari, kur kapen në shtete të tjera evropiane. Por kjo ndodh rrallëherë.

Vitin e kaluar, rreth 43 mijë imigrantë mbërritën në Hungari nga Ballkani, vende të tjera perëndimore të BE-së deportuan vetëm 512 prej tyre në Hungari.

Deri në vitin 2012, imigrantët nuk e shihnin Hunagrinë si një vend tërheqës për të shkuar drejt Perëndimit.

Por forcimi i ligjeve të imigracionit në Spanjë, vdekjet e shumta në Mesdhe dhe trafikimi njerëzor, e bënë Hungarinë një vend kalimi të preferuar drejt Perëndimit.

Sot, Hungaria përballet me një numër rekord të ardhurish, mbi 33 mijë imigrantë, vetëm në tre muajt e parë të vitit. Qendrat e imigrantëve kanë një kapacitet prej vetëm 2,500 njerëzish.

Në se azilkërkuesit do të vendosnin të qëndronin në Hungari, në vend që të shkojnë në vende evropiane, sistemi do të shkatërrohej plotësisht, thotë Gabor Gyulai, koordinator për refugjatët në Komitetin hungarez të Helsinkit, me bazë në Budapest.

Gyulai thotë se të paktën 80 për qind e imigrantëve largohen nga Hungaria për në Perëndim brenda 10 ditësh nga mbërritja e tyre,

Kryeministri i djathtë i vendit Viktor Orban, e ka bërë të qartë qëndrimin e tij kundër imigracionit dhe planet për masa më të ashpëra kundër tyre.

Nga ana e tyre, imigrantët që arrijnë në Hungari thonë se në se do t'i duhej përsëri ta bënin udhëtimin drejt Evropës, nuk do ta bënim më atë, për shkak të peripecive shpesh të dhimshme.

XS
SM
MD
LG