Lidhje

Shpërthen raketa hapësinore SpaceX Falcon


Një raketë pa njerëz në SHBA, e cila do të dërgonte furnizime në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, shpërtheu pak pas ngritjes sot, duke shpërndarë nëpër oqeanin Atlantik pjesët e masës së saj prej 2300 kilogramësh, si dhe të ngarkesës që mbante.

Është hera e tretë në tetë muajt e fundit që ka dështuar transportimi i ngarkesave. Një anije hapësinore ruse humbi kontrollin gjatë kthimit në muajin prill, si dhe në muajin tetor të vitit të kaluar një tjetër anije furnizimi shpërtheu në mënyrë aksidentale.

Shpërthimi i sotëm ndodhi 2 minuta dhe 19 sekonda pasi raketa ishte nisur nga Cape Canaveral, në Florida. Raketa që shpërtheu në qiell ishte e gjatë 63 metra dhe ishte ndërtuar nga Space Exploration Technologies. Në momentin e shpërthimit, ajo po udhëtonte me një shpejtësi prej 4600 kilometrash në orë, dhe ndodhej në një distancë prej 43 kilometrash nga Toka.

Ngarkesa e humbur përmbante edhe ngarkesën zëvendësuese për dy misione të mëparshme të dështuara. Kjo është një humbje e madhe për NASA-n, e cila po mbështetet tek industria private për të furnizuar Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Kompania SpaceX është një ndër firmat që po konkurojnë për të marrë raundet e furnizimit. Ajo ka kryer shtatë misione të suksesshme që nga viti 2012.

Sipas George Diller, që komenton misionet hapësinore të NASA-s, nuk dihet ende se çfarë ndodhi saktësisht, dhe po studiohen materiale filmike për të kuptuar më shumë.

.

XS
SM
MD
LG