Lidhje

Një ekspozitë e fotografive historike


Në një ekpozitë të re në Uashington, vizitorëve u jepet mundësia për të patur një vështrim të rrallë të jetës në Shtetet e Bashkuara në mesin e shekullit të 20-të. Ekspozita i ndihmon vizitorët të njihen me historinë gjatë transformimit të Amerikës.

…Një moment i ëmbël mes nënës dhe fëmijës…punëtorët që ndërtojnë

Empire State Building…një xhuxh i vetmuar cirku…

…Këto pamje janë në mesin e më tepër se 130 fotografive në një ekspozitë të re - të quajtur Momente Amerikane, - pjesë e Koleksionit Phillips në Uashington.

Fotografitë janë nxjerrë gjatë një periudhe ndryshimesh të mëdha sociale, ekonomike dhe teknologjike, nga vitet ’30 deri në vitet ’60, nga disa prej fotografëve më të njohur të vendit.

Renée Maurer është kuratore e ekspozitës:

“Kur po vendosnim fotot në ekspozitë, kuptuam se kishte një histori e cila mund të tregohej, që reflektonte kohën, vendin dhe eksperiencën në Amerikë. Shumica e këtyre fotografive i përkasin mesit të shekullit të 20-të, prandaj temat zbulojnë ide të ndryshme, momente të veçanta ndryshimi.”

Fotoreporterja Bubley njihet më tepër për portretizimin e njerëzve të thjeshtë dhe të ndryshimit të rolit të grave në vendin e punës, gjatë viteve 1950.

Ajo ishte vazhdimisht e interesuar për gjendjen e njerëzve dhe si mund ta fiksonte atë në fotografi.

Esther Bubley dokumenton me fotot e saj udhëtimin me autobuz në Amerikë, që u shtua së tepërmi në sajë të racionimit të benzinës dhe gomave gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa Bruce Davidson dhe Louis Faurer kapën me aparatin e tyre një shoqëri amerikane me autobuzë, makina dhe metro në vitet e mëvonshme.

Bruce Davidson po ashtu e përdori kameran e tij për të nxitur ndryshimin, me pamje të fuqishme të varfërisë dhe të luftës për të drejtat e njeriut në jugun e ndarë amerikan.

“Ai donte të tregonte se si ishte Amerika, çfarë po ndodhte në vitet ’60 dhe shtronte pyetjen “a duhet të vazhdojmë ta durojmë këtë gjendje?” shpjegon Renee Maurer.

Për të ishte e rëndësishme t’i tregonte publikut se edhe pse ndryshimi po fillonte, mbetej ende shumë për t’u bërë.

Një tjetër fokus i ekspozitës është rritja e shpejtë që po ndodhte në vite në qytetet kryesore, si Nju Jorku.

…Nga grataçelat e Berenice Abbott-it, tek skenat nëpër rrugë të Louis Faurerit…

Ekspozita po ashtu përfshin fotografë, të cilët i kanë publikuar fotot e tyre nëpër libra, gazeta dhe revista.

…Dhe ata fotografë që sollën pamje të përjetshme të disa prej pejsazheve më të bukura të vendit.

Renée Maurer shpreson se ekspozita “American Moments” do të shërbejë për të kuptuar më mirë një periudhë ndryshimesh të mëdha në Amerikë.

XS
SM
MD
LG