Ish-drejtori i Shërbimit Sekret në Maqedoni Zoran Verushevski, u dënua sot nga gjykata e Shkupit me tre vjet burg nën akuzën e armë-mbajtjes pa leje.
Ndaj tij është duke u zhvilluar edhe një proces tjetër gjyqësor nën akuzat për spiunazh, si bashkëpunëtor i drejtuesit opozitar Zoran Zaev, lidhur me çështjen e përgjimeve të bisedave telefonike të zyrtarëve qeveritarë.
Avokati i zotit Verushevski tha se do ta apelojë vendimin e sotëm, duke e quajtur atë një vendim politik.
Duke reaguar pas dënimit, vetë Zoran Verushevski u tha gazetarëve se në Maqedoni, “nuk ka standarde bazë të vlerave demokratike”, duke iu referuar kështu vlerësimit të Komisionit Evropian dhe Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Ai e quajti dënimin një “patologji sistemore – partiake dhe agresion ndaj lirisë dhe demokracisë dhe ndaj sundimit të ligjit dhe shtetit juridik”.