Lidhje

Efekti Trump për zgjedhjet 2016


GOP 2016 Trump
GOP 2016 Trump

Manjati i pronave të patundshme, Donald Trump, është ngjitur në krye të sondazheve për kandidatët republikanë gjatë ditëve të fundit, kryesisht për shkak të retorikës së tij kundër emigracionit të paligjshëm. Por, pse është shndërruar zoti Trump në një faktor në garën presidenciale në SHBA dhe a do të mundet ai të fitojë emërimin e republikanëve?

Donald Trump po triumfon në sondazhe dhe po tërheq turma të mëdha, si kjo këtu në Arizona.

“E respektoj shumë Meksikën si vend, por problemi është se udhëheqësit e tyre janë shumë më të zgjuar dhe më dinakë se udhëheqësit tanë, dhe po na shkatërrojnë në kufij, dhe në tregëti. Po na vrasin!”

Këto dalje të hapura të zotit Trump kundër emigrantëve të paligjshëm kanë ngjallur protesta dhe zemërim ndër aktivistët për të drejtat e emigrantëve.

“Ai na quan kriminelë. Na quan përdhunues. Ne nuk jemi asnjë nga këto.”

Zemërimi ndaj tij vihet re ndër qytetarët dhe ndër kandidatët presidencialë demokratë, përfshirë ish-guvernatorin e shtetit Maryland, Martin O’Malley.

“Nëse Donald Trump kërkon të kandidojë me një platformë që demonizon emigrantët, atëherë ai duhet të rikthehet në vitet 1840, tek partia Know Nothing, që ishte kundër emigrantëve.”

Por, stili i tij ashpër po triumfon ndaj kandidatëve të tjerë konservatorë, thotë analisti Scot Faulkner.

“Është aq i papërgjegjshëm saqë duket si diçka e re. Mendoj se kjo është arsyeja që ua ka kaluar.”

Por, disa udhëheqës republikanë shqetësohen se retorika e tij e ashpër do të dëmtojë partinë në zgjedhje.

“Për ca kohë do të jetë në qendër të vëmendjes, gjë që ai e dëshiron shumë, dhe do të jetë në gjendje ta ruajë këtë pozicion për ca kohë, pasi do të ketë shumë gjëra të tjera për të thënë.”

A do të mundet zoti Trump realisht të fitojë? John Fortier thotë se gjasat janë të vogla.

“Ai është sigurisht një kandidat i mirënjohur që ka thënë ca gjëra të diskutueshme. Ka tërhequr goxha vëmendje, në veçanti për disa çështje të emigracionit. Në fund nuk mendoj se do të jetë ai kandidati fitues republikan.”

Sidoqoftë, zoti Trump ka lënë në hije kandidatët e tjerë republikanë, përfshirë edhe kandidatin më të fundit, guvernatorin e shtetit Wisconsin, Scott Walker.

XS
SM
MD
LG